Ish-kryetari i Pejës ia numëron dështimet Gazmend Muhaxherit

Prishtinë | 19 Gus 2017 | 10:02 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tanimë ka zyrtarizuar kandidatin e saj për komunën e Pejës, e që është njëri ndër themeluesit e kësaj dege, Fatmir Gashi. Për këtë ka folur ish-kryetari i kësaj komune për gjashtë vite, njëherish edhe sekretar i AAK-së Ali Berisha.

E, për katër vite kjo komunë është qeverisur nga LDK-ja me kryetarin aktual, Gazmend Muhaxheri. Sekretari organizativ i partisë së Ramush Haradinajt, Berisha gjatë një interviste për “Indeksonline” ka treguar se Gashi ka potencial të madh për ta fituar qytetin e Pejës.

Poashtu, ai ka numëruar edhe disa prej dështimeve, siç thotë Berisha, që i ka pasur kryetari Muhaxheri. Këtë të fundit, ish-kryetari i Pejës e cilëson mashtrues ndaj votuesve.

“Fatmir Gashi është një aktivist i hershëm i Aleancës, që do të thotë se është njëri prej themeluesve të Aleancës në Pejë. Ka qenë në shumë funksione edhe të niveleve qendrore edhe mendoj se është zgjedhja më e mirë e mundshme që ka bërë Aleanca me kandidimin e tij për kryetarë të Pejës. Gashi është një njeri që do të jetë vlerë e re për qytetin e Pejës. Duke ditur që Peja ka nevojë për zhvillim ekonomik , punësim dhe gjitha këto që janë të domosdoshme , Fatmir Gashi do t’i kryejë dhe do të jetë udhëheqës i komunës së Pejës” , ka thënë Berisha.

I pyetur Berisha se a pretendoni të jeni në ndonjë post gjatë qeverisjes së Gashit në komunën e Pejës, ai e ka mohuar një të tillë duke thënë se nuk ka synim të përfitojë nga ky aspekt.

“Jo, synimet e mija personale nuk janë të voluntura në përkushtim të komunës së Pejës. Unë kamë qenë kryetarë i Pejës për gjashtë vite dhe asnjë qëllim nuk e kam tash që të marrë ndonjë post në komunën e Pejës. Mirëpo do të mbështesë gjatë kësaj fushate fuqishëm kandidatin e AAK-së, Fatmir Gashin”, ka thënë ai.

Tutje, ai thotë se Muhaxheri ka dështuar në premtime të mëdha. Sipas tij janë disa nga institucionet kyçe në këtë qytet.

“Fushata e kaluar e z.Muhaxheri ka qenë e përpiluar me premtime jashtëzakonisht të mëdha për komunën e Pejës. Ku ka premtuar mbështetje të madhe për Bujqësinë, Ekonominë, Zhvillim në të gjitha aspektet e komunës së Pejës, Arsim dhe Shëndetësi dhe pothuajse asnjë nga këto premtime të tij nuk janë realizuar nga këto 4 vite qeverisje. Ka qenë një mashtrim i madh për gjithë qytetarët e komunës së Pejës mbështetja për të. Mendojmë që kjo do të shihet në zgjedhjet lokale, ku do të ndëshkohet z.Muhaxheri nga votuesit e tij”, është shprehur ai.

Berisha në fund ka treguar edhe prioritetet që ka për qëllim t’i realizojë Fatmir Gashi në rast se do të fitojë në zgjedhjet lokale. Ai thotë se do të përqendrohen në disa pika kryesore ku ka ngelur qyteti i Pejës.

“Komuna e Pejës dhe kandidati Fatmir Gashi kanë një projekt të cilin do të manifestojnë gjatë këtyre ditëve të fushatës para qytetarëve të komunës së Pejës. Prioriteti kryesorë do të jetë zhvillimi ekonomik, punësimi i njerëzve, mbështetja për bujqësinë, infrastrukturën, infrastrukturën si dhe mbështetje të tjera dhe synim do ta ketë depolitizimin e Arsimit pasi që në këtë periudhë kohorë është vërejt një politizim i skajshëm i institucionet të Arsimit .

Gjithashtu në aspektin e arsimit do të luftohet edhe për rritjen e cilësisë, ndërsa në Shëndetësi për të pasur shërbime sa më të mira shëndetësore”, ka përfunduar Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme