Komuna e Prizrenit mbështet 600 familje për rregullimin e kushteve të banimit

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Islam Thaqi sot kanë vizituar familjet përfituese të projektit “Ndërtimi i 30 shtëpive të formës – Pika Jashtë 2020”.

Me këtë rast kryetari Haskuka deklaroi se “Këtë projekt kemi filluar për herë të parë në vitin 2018, ku para mandatit tonë, familjeve iu janë dhënë vetëm materialet ndërtimore, të cilët në shumë raste nuk kanë arritur që t’i ndërtojnë këto shtëpi.

Duke e parë këtë gjendje, kemi rritur mbështetjen dhe në vend se të japim materiale ndërtimore kemi vendosur që t’ua ndërtojmë shtëpitë në hapësirë prej rreth 80m2, për familje në lagje dhe fshatra të ndryshme, që jetojnë në kushte të vështira të banimit.

Në 3 vitet e para kemi ndërtuar 80 shtëpi nga ky projekt, ndërkaq edhe sivjet do të fillojmë ndërtimin e 30 shtëpive të tjera, pas përfundimit të procedurave vlerësuese të thirrjes publike”.

Përveç kësaj, Komuna e Prizrenit për herë të parë ka lidhur edhe marrëveshje me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e 50 shtëpive në formën “Çelësa në dorë”, ndërkaq me këtë projekt sivjet do përfitojnë edhe 20 familje të tjera në nevojë.

Pra me gjithë këto projekte, gjatë 4 viteve të mandatit të kryetarit Haskuka, Komuna e Prizrenit do të ndërtojë së paku 180 shtëpi.

Kryetari Haskuka me këtë rast njoftoi se këto nuk janë të vetmet projekte që janë realizuar për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë. Me dy projekte të tjera të DPMS-së, ato të renovimit të shtëpive dhe meremetimit të kulmeve janë rregulluar dyert, dritaret, sanitaritë dhe kulmet e 196 shtëpive, ndërkaq sivjet do të vazhdojnë punimet edhe për rreth 80 shtëpi të familjeve që kanë probleme të banimit.

Përveç tyre edhe nëpërmjet Zyrës për Komunitete dhe Kthim, Komuna e Prizrenit ka ndarë materiale ndërtimore për 94 familje të komuniteteve, ndërkaq sivjet edhe rreth 40 familje të tjera do të jenë përfituese nga ky projekt.

Së fundi kryetari Haskuka vuri në dukje se Komuna e Prizrenit, si asnjëherë më parë, është pranë qytetarëve që kanë nevojë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme