Kosova anëtarësohet në Konventë të Hagës

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 14:06 | Nga

Nga data 2 deri më 4 nëntor 2016, është mbajtur takimi i katërt i Komisionit Special mbi operimin praktik të Konventës së Hagës mbi heqjen e Kërkesës për Legalizimin e Dokumenteve të Huaja Publike (Konventa e Apostiles), si dhe pjesëmarrja në Forumin e 10-të Ndërkombëtar për e-APP.

Ky takim kishte një rëndësie të veçantë, pasi është hera e parë që Republika e Kosovës anëtarësohet në Konventën e Hagës dhe gjithashtu është hera e parë që zyrtarisht merr pjesë në një takim të tillë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë marrë pjesë: Lulzim Ejupi, Drejtor i Përgjithshëm i ARC-së, Blerim Camaj, Drejtor i Drejtoratit të Gjendjes Civile në ARC dhe Kreshnik Kaçiu, Inspektor në ARC.

Diskutimet kryesore kishin të bënin me përvojat e disa shteteve anëtare të cilat kanë filluar të praktikojnë apostilen elektronike. Në mes tjerash, nga shtetet të cilat e praktikojnë këtë metodë, u shpalosen përparësitë dhe të metat e saj, ashtu sikurse që iu bë thirrje shteteve tjera që të fillojnë të mendojnë për kalimin nga apostilja e rëndomtë, pra në formë të letrës, në apostilen elektronike.

Nga ana e delegacionit të Kosovës, respektivisht nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtetet anëtare të Konventës, u njoftuan në lidhje me aktivitetet e ndërmarra nga dy autoritetet kompetente për lëshimin e vulës apostile që nga koha e aderimit të Republikës së Kosovës në Konventë e deri më tani.

Ndryshe nga temat e natyrës teknike dhe profesionale dhe nga agjendat e takimeve, delegacioni i Kosovës është ballafaquar me pengesat konkrete që i janë bërë nga Serbia sa i përket tentimit të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës, në këto punime si dhe kërkesës së Serbisë, Rusisë, Argjentinës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Kinës që në dokumentet zyrtare të Byrosë për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Kosova ta ketë edhe fusnotën duke insistuar në mbishkrimin lidhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me këtë rast ka reaguar menjëherë delegacioni i Kosovës, i cili nuk është pajtuar me propozimet e tilla, duke e theksuar çdo herë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk vjen në shprehje në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë të diskutohet për shtetësinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht tentativa e Serbisë që të bllokoj pjesëmarrjen tonë në këto punime, si dhe eventualisht t’ia imponoj nikoqirit që Kosova të paraqitet me fusnotë, dështoi në tërësinë e saj.

Ministria e Punëve të Brendshme, konkretisht Agjencia e Regjistrimit Civil, mbetet e përkushtuar që të punojë edhe më fuqishëm në zbatimin e obligimeve konkrete që dalin nga Konventa Apostile, si njëri ndër autoritetet kompetente në Kosovë për lëshimin e vulave apostile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme