Kryeministri qetëson protestuesit e Postës, nesër i pret në takim

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 12:05 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar:

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës ka njoftuar se takimi me kryeministrin, Ramush Haradinaj, do të bëhet nesër, raporton EkonomiaOnline.

“Pas përpjekjes së parë me Kryeministrin, shefi kabinetit, më telefonoi dhe tha se takimi do të bëhet nesër në orën 16:00 me Kryeministrin. Deri në këtë orë i japim kohë Kryeministrit që të zgjidhë këtë çështje,” deklaroi Hoti.

Ai shtoi se për vazhdim ose jo të grevës do të njoftojnë me kohë.

Punëtorët e Postës i duan pagat, Haradinaj i thërret në zyre

Punëtoret e Postës së Kosovës filluan protestën e paralajmëruar për sot, me kërkesat që, Qeveria e Kosovës të kryej urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës, rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar, Qeveria t’i  mundësoj Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë, pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankë.

Një nga thirrjet më të fuqishme ishte realizimi i pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës.

Protestuesit janë rreshtuar para Qeverisë, me pankarta në duar, në të cilat shkruhej, “Respekto ligjet tua”, “Qeveri, Posta duhet të shpërndajë dërgesat”, “Duam shërbimet që i ka secila Postë shtetërore”, etj.

Naser Gashi, kryetar i Shoqatës së Sindikatës Postieri, iu është drejtuar protestuesve me kërkesat që sot parashtrojnë punëtorët.

“Jemi përpara Qeverisë, për t’iu treguar se Posta është e Qeverisë. Për pesë vite posta ka punuar me humbje me shërbimin universal postar.  Nëse posta do punonte jashtë ligjit pse KEDS-i dhe ujësjellësi dërgojnë letra në postë jashtë ligjit dhe Qeveria nuk ndërmerr asgjë. Çështje tjetër është shërbimet që shpërndahen edhe në pjesën serbe, pse askush nuk merret me këtë. Duam të na rimburësohen humbjet nga shërbimi universal postar. Qeveria duhet t’i jap Postës skema pensionale. Duam pagat tona që akoma si kemi marrë”, bënë thirrje Gashi.

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës Postës së Kosovës thotë se një ndër arsyet e protestës është edhe mos marrja e pagave të punëtorëve.

“Posta asnjeherë nuk ka qenë për lëmoshë. Kemi ofruar si posta mund të ketë qëndrueshmëri financiare, si  sindikatë e postës. Do marrë fund ky problem i qytetarëve dhe punëtorëve.  Potencojmë se jemi na pritje të reflektimit të Qeverisë,” është shprehur Hoti.

Lami Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit akuzon Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për thyerje të ligjit.

“Ligjin e kanë bërë ata prapa dhe ata le ta respektojnë. Ministri i Financave paguan punëtorët. Ky është krimi më i madh që po bëhet ndaj punëtorëve. E keni përkrahjen tonë. Nuk e kemi ndalë punën, por këtu do na kenë deri në respektim të kërkesave,” shprehet Balaj.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, thotë se kjo formë e protestës ka qenë e obliguar, shkaku i të gjitha këtyre telasheve të punëtorëve.

“Nuk ka qenë me vullnetin tonë, kjo protestë është e obliguar. Pa punëtorë nuk ka zhvillim. “Punëtorë keni mbështetjen e 50 mijë anëtarëve. Kërkesat tuaja janë konform statutit,” është shprehur Ajdini.

Rrahman Jashari, kryerari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, po ashtu ka dalur në përkrahje të protestuesve.

“Është keq që ju të mbeteni pa punën emerituar. Qeveria të këndellet sepse kjo mund të kthehet në protestë masive,” bëri thirrje Jashari.

Protestat do të vazhdojnë deri sa t’i plotësohen kërkesat e punëtorëve të Postës. Ata kanë bërë të ditur se Kryeministri i ka thirrur në takim për këtë çështje nesër.

Të ngjashme