Kufizohet qarkullimi i veturave në Prishtinë, si masë emergjente kundër ndotjes

Prishtinë | 29 Jan 2018 | 17:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, në një konferencë së bashku me ministren e Mjedisit, Albena Reshitaj, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, kanë paralajmëruar kufizimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet, si masë emergjente e reduktimit të ndotjes.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha se gjatë ditës në kryeqytet llogaritet se hyjnë rreth 120 mijë vetura.

“Kemi biseduar për mundësinë e ndalimit të automjeteve të cilat futen në kryeqytet. Është menduar të bëhet organizimi i parkingjeve jashtë qytetit”, tha Pacolli, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarët. Ai shpjegoi se 3 zonat ku është menduar që të bëhen parkingjet janë: Hajvalia, Zona Industriale dhe Shkabaj.

Pacolli tha se kufizimi pritet të nisë nga e mërkura në mëngjes.

Ministri i MPB-së, Flamur Sefaj, ka shpjeguar se ndalimi i qarkullimit të veturave duhet të bëhet mbi bazë ligjore, përfshirë shpalljen e një gjendjeje emergjente, raporton Ekonomia Online.

Një nga propozimet është që të kufizohet qarkullimi i automjeteve në qendër të qytetit, sipas numrit të targave në ditë qift dhe tek.

Si masë emergjente, MMPH-ja do ta subvencionojë “Trafikun Urban”, në mënyrë që qytetarët, përfshirë ata që vijnë nga qytetet e tjera, të mund të lënë veturat në parkingje në periferi dhe të vijnë në qendër me autobusë urbanë, falas.

“Konform përgjegjësive dhe kompetencave që kam, kam kërkuar nga ekspertët e ministrisë që të hartojnë planin e aktiviteteve për veprime afatshkurtra dhe afatgjata. Për disa muaj kemi punuar për të ndikuar bashkërisht në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. Andaj sot jemi bërë bashkë për të marrë disa veprime konkrete emergjente. Këto janë hapa që i ka hartuar MMPH-ja. Mes tjerash, do ta ndihmojmë Komunën e Prishtinës me një subvencion për të udhëtuar qytetarët me ‘Trafik Urban”, tha ministrja Reshitaj

Tjetër masë emergjente që është diskutuar është shtimi i kontrolleve dhe ndalimi i përdorimit të thëngjillit, sidomos nëpër lokalet e gastronomisë.

“Do të inspektojmë lokalet e vogla dhe ekonomitë familjare. Do të shikojmë mundësinë e ndërprerjes së tërësishme të shitjes së thëngjillit nga kompanitë ilegale që veprojnë në Kosovë”, tha Reshitaj.

Ajo tha se qeveritë e kaluara nuk e kanë pasur prioritet këtë çështje. Reshitaj theksoi se këto masa janë emergjente ndërsa premtoi se për vitin e ardhshëm do të bëhet një plan i detajuar si të përballen me ndotjen enorme të ajrit, sidomos gjatë stinës së dimrit.

Të ngjashme