Lladrovci: Dita e rënies së Luanit të UÇK-së, mbetet e paharruar

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar në 23 vjetorin e rënies, heroin Luan Haradinaj duke e quajtur Luani i UÇK-së, ai ka kujtuar edhe të rënët tjerë më vonë nga dhjetë ushtarët që gjendeshin në atë ballafaqim me forcat serbe si dhe ata që vazhduan luftën për çlirim.

Lladrovci, ka shkruar se heroi Luan Haradinaj, do të bije në altarin e lirisë, më 6 maj 1997, kur më së shumti i duhej ushtrisë që po vepronte për çlirim, më së shumti i duhej radhëve tona për aftësinë e tij, guximin, trimërinë e pashoqe dhe vendosmërinë për çlirim.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Para 23 vitesh, ndodhesha në grupin e dhjetë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që thyente kufijtë për liri, me idealet më të pastra për çlirimin e atdheut.

Luani i UÇK-së, heroi Luan Haradinaj, do të bije në altarin e lirisë, më 6 maj 1997, kur më së shumti i duhej ushtrisë që po vepronte për çlirim, më së shumti i duhej radhëve tona për aftësinë e tij, guximin, trimërinë e pashoqe dhe vendosmërinë për çlirim.

Ajo ditë, do të mbetet a paharruar për dhimbjen dhe goditjen që morëm për neve që ishim aty së bashku me të dhe për historinë e çlirimit të vendit nga okupatori serb si ditë kur nga radhët tona, kaloi në përjetësi luani i UÇK-së, Luan Haradinaj.

Ajo ditë, dëshmoi për vështirësitë që i prisnin luftëtarët e lirisë por ndikoi në forcimin e moralit tonë se asnjë pengesë nuk do të na ndalte, deri në çlirim. Kujtoj këtu me nderim edhe të tjerët që ishim së bashku me Luanin si Fehmiu, Xheva, Ilazi, Abedini, Ramushi, Rafeti, Selimi e Ganiu që ranë më vonë në betejat çlirimtare apo nuk e ndalem luftën deri në çlirimin e vendit.

Lavdi jetës dhe veprës së heroit Luan Haradinaj!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të ngjashme