Mbahet takimi konsultativ për hartimin e Koncept Dokumentit për Persona të Zhdukur

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Ekipi përgjegjës për hartimin e Koncept Dokumentit për Persona të Zhdukur në kuadër të konsultimeve publike me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, ka mbajtur sot një takim me përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të personave të zhdukur.

Gjatë takimit, fillimisht, është prezantuar Draft-Koncept Dokumenti për Persona të Zhdukur, versioni që është në platformën e Konsultimeve Publike deri me datën 15 maj 2019 (http://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=40640 ).

Procesi i hartimit të Koncept Dokumentit për Persona të Zhdukur është adresim i kërkesave dhe shqetësimeve disavjeçare të familjeve të personave të zhdukur për domosdoshmërinë e  avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të kishte një qasje dhe trajtim meritor për personat e zhdukur dhe familjet e tyre.

Gjatë takimit konsultativ përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur dhe të pranishmit tjerë, përfaqësues të institucioneve të angazhuara në këtë proces, kanë dhënë kontributin e tyre përmes propozimeve me qëllim të plotësimit të Draft Koncept Dokumentit, me theks të veçantë në çështjet si terminologjia e përdorur në ligj , përkufizimi dhe statusi i personit të zhdukur, çështjen e memories kolektive, pastaj çështjet që ndërlidhen me kërkimin, gjetjen dhe identifikimin, të drejtat e familjeve të personave të zhdukur,  strukturën institucionale dhe përkrahjen e shoqatave.

Finalizimi i këtij Koncept Dokumenti dhe miratimi i mëpastajshëm në Qeveri do t’i hapë rrugë procedurës për plotësim ndryshim të Ligjit nr. 04/L-023 për Persona të Zhdukur dhe ligjeve tjera që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur.

Draft Koncept Dokumenti për Persona të Zhdukur është hartuar nga Ekipi përgjegjës i përbërë nga përfaqësues të institucioneve kompetente, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile përkatësisht shoqatave të familjeve të personave të zhdukur dhe me mbështetjen teknike dhe financiare të Ambasadës Britanike  dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Të ngjashme