MD jep informacione nga vizita në Hagë ku i takuan të akuzuarit e Speciales

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se një delegacion ka takuar të paraburgosurit në Hagë.

Përmes një njoftimi për media nga MD-ja, është bërë e ditur se janë njoftuar edhe me shqetësimet e tyre.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, sipas ministrisë, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Njoftimi i plotë:

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë, ka vazhduar vizitën zyrtare në Hagë

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me Zëvendësministrin e Drejtësisë z. Blerim Sallahu, Këshilltarin e Lartë dhe Shefin e Kabinetit z. Genc Nimoni si dhe Udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë znj. Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kanë vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara znj. Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara znj. Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Ministria e Drejtësisë do t’i kryejë obligimet e saj në raport me shtetasit tanë të cilët po mbahen në paraburgim.

Të ngjashme