Ministri Mehaj dekoroi me medaljen “Shërbim i shquar” këshilltarin ushtarak kroat, kolonel Rajko Peric

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama priti sot në takim të veçantë këshilltarin ushtarak kroat në kuadër të NALT-it në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Rajko Peric.

Me këtë rast, ministri Mehaj, në shenjë të mirënjohjes për angazhimin e jashtëzakonshëm në menaxhimin e fatkeqësisë tragjike të javës së kaluar në Sllavonski Brod të Kroacisë, kolonelin Peric dekoroi me medaljen “Shërbim i shquar”. Gjithashtu, ai shprehu edhe falënderimin dhe mirënjohjen për angazhimin e tij me përkushtim të lartë profesional, në këshillëdhënie për stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ministri Mehaj, ndër të tjera theksoi edhe njëherë vlerësimin e lartë për lidhjen e natyrshme dhe bashkëpunimin e fuqishëm me shtetin mik kroat, të dëshmuar edhe në rastin e fatkeqësisë tragjike në Kroaci.

Nga ana e tij, kolonel Peric, shprehu përshtypjet dhe admirimin e tij për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe vizionin e saj për të ardhmen.

Koloneli Peric, përkushtimin e tij për mbështetje nga autoritetet kroate është duke e dëshmuar edhe në koordinimin e mbështetjes së mundshme në menaxhimin e zjarreve të ditëve të fundit.

Të ngjashme