MSh-ja nuk tregon kur mbërrin kontingjenti tjetër i vaksinave

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Fiks një javë pas fillimit të vaksinimit ndaj COVID-it në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka një datë konkrete se kur do të arrijë kontingjenti i dytë i vaksinave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vazhduar të përsërisë se dozat e radhës do të arrijnë shumë shpejt, duke mos treguar megjithatë se cilës kompani i përkasin.

“Ne nga dita e parë kemi filluar dhe kemi intensifikuar përpjekjet tona për sigurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave dhe besoj dhe presim që ky kontingjent shumë shpejt të vijë”, ka deklaruar Vitia.

Derisa disa vende të rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin masiv të qytetarëve, Kosova deri tani ka arritur t’i vaksinojë rreth 3 mijë e 500 persona nga personeli shëndetësor.

I pyetur nëse edhe Kosova ka ndonjë plan për vaksinim masiv në të ardhmen, i pari i Shëndetësisë tha se janë gati për këtë, por vetëm presin vaksinat.

“Ne jemi të gatshëm në momentin që vjen kontingjenti tjetër i vaksinave brenda një kohe të shkurtër të bëhet aplikimi i vaksinave”, ka shtuar Vitia.

Vitia këtë të martë së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë vizituar qendrën e vaksinimit, “1 Tetori”.

“Jemi duke punuar bashkë me qeverinë dhe në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë, që të vijnë edhe kontingjentet e ardhshme të vaksinave. Dhe, këtu më lejoni që të bëj një falënderim shumë të veçantë për partnerët tanë ndërkombëtarë, me të cilët kemi punuar bashkërisht që të vijë ky kontingjent dhe po punojmë për së afërmi dhe në veçanti qeveria, në mënyrë që kontingjentet e para të vijnë sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Niman Bardhi, koordinator i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, ka thënë se sot ka nisur aplikimi i vaksinës te profesionistët shëndetësorë të sektorit privat e të të gjithë profesionistëve shëndetësorë që janë brenda FSK-së.

“Sapo të përfundojnë këto nga data 8 fillojmë me qytetarët, por me prioritet janë grupmoshat 80 e tutje”, ka pohuar Bardhi.

Kosova deri tani ka përfituar vetëm 24.000 doza të vaksinës “AstraZeneca” nga mekanizmi COVAX, derisa është vendi i fundit në Evropë që ka filluar vaksinimin.

Të ngjashme