Mungon kryetari i trupit gjykues, shtyhet gjykimi për kontrabandë me armë e tregti ilegale me barna

Prishtinë | 14 Sht 2021 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, të martën ka dështuar të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj tetë të akuzuarve për kontrabandë me armë, krim të organizuar dhe tregti të ndaluar.

Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, Fatmir Harunit, Naim Abrashi dhe Armend Iljazi po akuzohen se me role të ndara, si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë dhe medikamente në mënyrë të paautorizuar, me qëllim përfitimi të dobisë pasurore.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi fillimisht konstatoi prezencën e palëve në procedurë, e më pas njoftoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo pasi që sipas tij, kryetari i trupit gjykues nuk mund të jetë i pranishëm në seancë për shkaqe personale.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 18 tetor 2021 nga ora 9:30.

Ndryshe, fillimisht procedura penale kishte nisur vetëm ndaj shtatë të akuzuarve, Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, Fatmir Harunit, Naim Abrashi, pasi që i akuzuari Armend Iljazi kishte qenë i paarritshëm për gjykatën, ëpr të cilin ishte veçuar procedura.

Mirëpo, gjatë seancës fillestare të mbajtur më 3 shtator, i akuzuari Iljazi kishte hequr dorë nga kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke i propozuar gjykatës bashkimin e procedurës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, Fatmir Harunit dhe Naim Abrashit akuzohen se nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri më datën 21 mars 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” dhe tregtia e ndaluar, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë e shitur mallra për të cilat nuk kanë pasur autorizim, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.

Sipas PSRK-së, i pandehuri Vesat Imeri, fillimisht i ka siguruar 25 pako me armë të llojit Glock, Austria dhe Sig Suer, nga një person tani për tani i panjohur me nofkën “Doni”, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyrat e lokalit të tij në Fushë Kosovë si dhe disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit Nexhip Gashi dhe Besim Sylejmani.

Prokuroria pretendon se pas disa ditësh, i pandehuri Vesat Imeri, sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin Fatmir Haruni, punëtor në lokalin e tij në Fushë Kosovë dhe i thotë që këto pako t’ia jepte personit që do ti shkonte t’i merrte, ku edhe postieri i postës “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini, i kishte marrë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik”, në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri dhe Nexhip Gashi, i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.

Sipas kësaj aktakuze, Besim Sylejmani fillimisht shkon në depon e “Sim Logistik”, me veturën e tij, ku nga i pandehuri Naim Abrashi, menaxher i kompanisë i merr disa pako dhe takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, në lagjen Ulpiana, të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij “Opel Corsa”, ku edhe janë ndarë, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, në veturat e tyre u gjenden dhe konfiskohen pako me medikamente, e pastaj në garazhin e banesës së të pandehurit Besim në rrugën “Uran Ajeti” në lagjen Mati 1, i gjenden dhe konfiskohen edhe pako të tjera me medikamente.

Sipas prokurorisë, gjatë kontrollimit në deponë e “Sim Logistik” në Mazgit, gjenden dhe konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, vlera e të cilave nuk dihet si dhe një sasi medikamentesh, vlera e të cilave përfshi edhe sasinë e konfiskuar te të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, është rreth 17.000 euro.

Sipas aktit akuzues, po ashtu nga i pandehuri Armend Ilazi, të pandehurit Besim Sylejmani dhe Nexhip Gashi janë furnizuar me barëra pa banderola, me qëllim që ti shesin nëpër barnatore të ndryshme, në atë mënyrë që i dyshuar Armend Ilazi, barërat i ka siguruar nga Indire Mehmeti, farmaciste në barnatoren “Bio Pharm” në Ferizaj, e pastaj ua ka shpërnda të pandehurve Besim dhe Nexhip, me c’ rast si pjesëmarrës të grupit kanë ushtruar veprimtari me qëllim të kryerjes së veprave penale për shkak të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

PSRK-ja pretendon se i pandehuri Vesat Imeri gjatë muajit mars të vitit 2019, i ka siguruar në mënyrë të panjohur 25 pako me armë dhe barëra dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë Kosovë, e pastaj sipas kërkesës së tij, këto pako i pandehuri Fatmir Haruni ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini.

Gjithnjë sipas akuzës, më 10 mars 2019 dhe 15 mars 2019, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi dhe Naim Abrashi, pasi koordinohen mes veti bëjnë ripaketimin e pakove të lartpërmendura duke i futur në pako armë dhe barëra, në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik”, me pronar Izedin Mejzinin, e në të cilën punon edhe i pandehuri Naim Abrashi, me qëllim të shpërndarjes së tyre.

Sipas kësaj aktakuze, më 21 mars 2019, i pandehuri Besim Sylejmani, i merr disa pako me barna të llojit Tamoil XX në depon “Sim Logistik”, e pastaj takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, të cilit ia jep një pako me barëra me qëllim të shitjes së tyre nëpër barnatore të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera, mirëpo pasi që të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e policisë janë arrestuar, ndërkaq gjatë kontrollit të banesave dhe automjeteve të tyre, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barërave të lartpërmendura për shitjen e të cilave nuk kanë pasur autorizim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme