Në QKUK nuk është bërë vlerësim real i rrezikshmërisë në punë

Prishtinë | 03 Kor 2021 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në të cilën funksionojnë gjithsej 37 klinika, institute dhe shërbime, nuk është bërë asnjëherë vlerësimi real mbi rrezikshmërinë në punë.

Profesionistë shëndetësorë thonë se tashmë është themeluar një komision i cili është duke punuar në këtë drejtim. Varësisht rrezikshmërisë, do duhej të përcaktohet edhe orari i punës.

Megjithëkëtë disa prej klinikave brenda QKUK –së, punojnë me nga 30 dhe jo 40 orë pune në javë, si dhe kanë pushim të zgjatur vjetor prej 30 ditësh në vend të 20 ditëve.

Aktualisht, klinikat që punojnë me orar të shkurtuar, që konsiderohen edhe me rrezikshmëri më të lartë janë ajo e Onkologjisë, Radiologjisë, Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Klinika Infektive, Kirurgjia, Njësia Nukleare dhe Patologjia, ndonëse nuk është bërë vlerësim profesional.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur për RTK se duke u bazuar në ligjet e Kosovës, domosdo është e përcaktuar edhe rrezikshmëria në vendin e punës. Por, ai shton se sektori për mbrojtje dhe siguri në punë nuk është duke e kryer punën ashtu si duhet dhe disa klinika e gëzojnë këtë të drejtë, derisa të tjerat jo.

“Për sa i përket rrezikshmërisë së punëtorëve shëndetësorë kjo është dashur të rregullohet me Ligjin mbi Sigurimin e Shëndetit në Punë. Por edhe këtu ka ndërhy politika dhe ky ligj ka mbetur aty ku ka mbet. Për sa i përket rrezikshmërisë së punëtorëve shëndetësorë, kjo është e përcaktuar në kontratën kolektive sektoriale, po që nuk respektohet nga institucionet shëndetësore”, tha Syla.

Në anën tjetër drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimimit, Nehat Baftiu, thotë se në klinikën ku ai punon, kryesisht në sallat e operacionit, të gjitha barnat që përdoren aty për pacientë, lirojnë gazra, të cilat, sipas tij, i thithin mjekët përmes ambientit, derisa shton se ato i dëmtojnë të gjitha organet vitale, marrë parasysh se anesteziologët marrin pjesë në tri – katër operacione në ditë. Andaj kjo është njëra nga klinikat që paraqet rrezik për shëndetin e mjekëve.

“Është një komision që po punon në këtë drejtim, dhe kemi nënshkruar disa dokumente për klinikat që punojnë me rrezikshmëri të lartë në punë. Por ende nuk ka lëvizje as në pagesa as në asgjë, dhe do duhej të dallojnë klinikat që punojnë me rrezikshmëri dhe ato që punojnë me më pak rrezik’’, tha Baftiu.

Sidoqoftë, përpos klinikave që kanë kërkuar të klasifikohen si vende me rrezikshmëri në punë, edhe Oda e Stomatologëve të Kosovës ka kërkuar zbatimin e Ligjit për respektimin e rrezikshmërisë në punë.

Të ngjashme