Nga 20 prilli sindikatat hyjnë në grevë, Hykolli: Çmimet kanë kapur majat, e pagat rrinë aty

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 13:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikatat e punëtorëve në Kosovë, të thirrura nga BSPK-ja, protestuan të premten para qeverisë me thirrjet për miratimin e ligjeve që do të përmirësojnë jetën dhe kushtet e punëtorëve.

Sindikalistët kërkojnë miratimin e Ligjit për Pagat, zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe ndryshimin e ligjit për skemat pensionale.

“Kryeministër, realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, shkruante në njërën nga pankartat.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se kërkesat janë të arsyeshme dhe të realizueshme.

Ai paralajmëroi Qeverinë se ka kohë deri më 20 prill për përbushjen e kërkesave. “Po nuk e mori vendimin e duhur për përmbushjen e kërkesave tona duke mos u lënë rrugë tjetër sindikatave, por vetëm rrugën e cila është shumë e padëshirueshme për sindikatat, rrugën e grevës, mjeti i fundit për të shprehur pakënaqësitë sindikale dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të të punësuarve të Kosovës”, theksoi ai.

Hykolli kërkoi miratimin e Ligjit për Paga, pa zvarritje, e deri atëherë ai kërkoi rritje page për 100 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

“Kërkesat tona janë të arsyeshme, e jo rënduese. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të zvarritur Ligjin për Paga, që tash do të duhej të ishte për t’u miratuar”.

“Nuk e duam Ligjin për Pagat vetëm si emër, por e duam Ligjin për Paga që do të krijonte një sistem të njëtrajtshëm të pagave për sektorin publik”, ka thënë Hykolli.

Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që t’i pranojë në dialog dhe se bashku të gjejnë zgjidhje.

“Çmimet kanë kapur majat, e pagat rrinë aty. Kjo vetëm për punëtorët se të tjerët nuk e kanë keq, dhe falë djersës së punëtorëve po jetojnë sikur se në përralla. Por, së shpejti do të përrallosen dhe për këtë besoj fort”, u shpreh Hykolli.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është shembulli më i keq i heshtjes dhe i mungesës së gatishmërisë për dialog.

Jasharaj tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e kësaj sindikate, nga 20 prilli punëtorët e arsimit do të hyjnë në grevë, e për këtë fajtor sipas tij është kryeministri Kurti.

“Këta punëtorë të arsimit, nga 20 prilli do t’i shohësh në grevë dhe populli lë ta dijë se fajtori i vetëm është kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Në të ardhmen do të jemi këtu, sepse është sheshi ynë, në të ardhmen do të jemi në shkolla, por do të jemi në grevë”, është shprehur Jasharaj.

Tutje, kryetari i SBASHK-ut, tha se dikujt s’do i dalin hesapet si duhet, e sipas tij, asaj që s’do i dalin hesapet si duhet do të jetë Qeveria e Kosovës.

Kërkesë të njëjtë ka edhe kryetari i Sindikatës së Administratës së Pavarur Ali Gashi. Tha se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se nuk kërkojnë privilegje e as beneficione.

“Sot nuk dolëm të kërkojmë privilegje as benificione, por dolëm me kërkesa të drejta. Ne duam që sa më shpejtë të miratohet ligji i pagave. Ligji është i yni, ligji është i punëtorëve me të cilin ligj vlerësohet puna dhe djersa e punëtorëve. Ne përmes kësaj proteste kërkojmë që sa më parë të miratohet ligji për sigurime shëndetësore. Kryeministër, polica jonë janë ata që na e sigurojnë mua ty atij sigurinë personale kurse ata vet nuk janë të siguruar. Kjo është e padrejtë dhe jo humane por që ndodhë në Kosovë”, tha ai.

E kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se që 14 vite nuk respektohet ligji i punës. Ai tha se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, kryeministri Kurti nuk do të jetë më në Kuvend.

“Deri sot i kemi ruajt këto institucione. Sikurse sot që po na ruan policia e Kosovës pa sigurim shëndetësor. Që 14 vite shtet pa sigurim shëndetësor. Që 14 vite shtet nuk respektohet ligji i punës. Që 14 vite shtet nuk ka ligj për paga. Prandaj duhet domosdoshmërish që sot o kurrë t’i kemi. Hidhni sytë kah punëtorët, kryeministër, se nëse nuk orientoheni kah punëtorët atëherë më nuk do të jeni në Parlament”, tha Llumnica.

Të ngjashme