Ngecja në vaksinim i kushton Kosovës, Amerika e zbret nga niveli 4 i rrezikut vetëm në të 3-in, Shqipëria në të parin

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar udhëzimin e fundit për qytetarët e saj të cilët dëshirojnë t’ia mësyjnë Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Për Kosovën kanë marrë vendim që nga shkalla e katërt e rrezikshmërisë ku qytetarët udhëzoheshin që të mos udhëtonin fare, ta zbresin në shkallën e tretë, ku thuhet që të rishqyrtohet udhëtimi.

“Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka lëshuar njoftimin e nivelit të tretë për Kosovën për shkak të COVID-19, si pasojë e nivelit të lartë të COVID-19 në vend”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, zyra për Punë të Brendshme.

Screen shot nga faqja zyrtare e CDC-së

 Zhvendosja e Kosovës nga niveli i katërt i rrezikshmërisë vetëm për një nivel, duket se vjen edhe nga ngecja e Kosovës në procesin e vaksinimit, meqenëse aktualisht Kosova ka vetëm rreth 1 mijë raste aktive. Derisa ditë më parë, Shqipëria e cila është duke shkuar drejt 1 milion të vaksinuarve, është zhvendosur nga niveli i katërt në nivelin e parë ku janë shtetet me rrezikshmëri shumë të vogël.

Kosova në njoftimin e publikuar dje nga Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë vetëm 86 mijë e 489 persona të vaksinuar.

Në këtë njoftim gjithashtu përmendet veriu i Kosovës ku udhëzohen shtetasit amerikan që të mos frekuentojnë atë pjesë, meqë konsiderohet ende si zonë ku mund të ketë tensione ndëretnike.  Gjithashtu përmenden edhe veprimet e mundshme terroriste.

“Tensionet mes komuniteteve në veri të Kosovës mbeten një burim i trazirave të mundshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Megjithëse trazirat e fundit kanë qenë të lidhura politikisht dhe nuk përfshijnë turistë ose anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, kalimtarët e rastit mund të preken”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Të ngjashme