Pallati i Rinisë jashtë Ligjit për Kryeqytetin, çfarë do të bëjë Qeveria me të?

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 16:31 | Nga

Pallati i Rinisë dhe Sporteve, që gjendet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, do të vazhdoj të jetë edhe për një kohë pa pronar.

Ai tash nuk menaxhohet as nga Komuna e Prishtinës e as nga Qeveria e Kosovës. Më të është duke u marrë veç Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila edhe në vitin e kaluar e ka nxjerrë në likuidim.

Pallatin e Rinisë Qeveria e Kosovës nuk e ka futur as në projektligjin që e ka miratuar javën e kaluar. Në këtë projektligj që e ka siguruar Gazeta Express nuk përmendet asnjë fjalë për Pallatin.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës, thonë se e kanë një plan për të.

“Kryeministri i Republikës së Kosovë, Ramush Haradinaj, është angazhuar që pronësia mbi pallatin e Rinisë t’i kthehet kryeqytetit, përkatësisht qytetarëve të Prishtinës, në pajtim me ligjin”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit dhënë për Express.

Në zyrën e Haradinajt kanë treguar, po ashtu, se në projektligjin e miratuar nga Qeveria nuk sanksionohet decidivisht pronësia mbi Pallatin e Rinisë.

“Mirëpo, Qeveria do të nisë konsultimet me palët e përfshira në këtë proces, AKP-në dhe komunën, në afat optimal”, thuhet në përgjigjet me shkrim.

Por, njohës të ekonomisë kanë thënë për Gazetën Express se kjo përgjigje nuk sqaron shumë.

“Nuk sqaron shume kjo përgjigje. Nuk është e qartë a bëhet fjalë për pronësi, kompensim…”, kanë thënë njohës të fushës.

Kurse, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk kanë dhënë shumë detaje mbi fatin e Pallatit të Rinisë, veçse kanë treguar se Pallati është duke u menaxhuar nga ta.

“Tash Pallati është në likuidim. Një autoritet i likuidimit është krijuar dhe menaxhon me të. Derisa nuk ka një ligj që e merr në menaxhim, veprohet me ligjin e AKP-së”, kanë thënë në AKP.

Mirëpo, Bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur me datën 28.04.2016 kishte vendosur që ta likuidojë Ndërmarrjen Shoqërore “Pallati i Rinisë, Kulturës dhe Sporteve” ish-“Boro dhe Ramizi”.

“Arsyeja e vendosjes së Ndërmarrjes në Likuidim ishte borxhi në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh ndaj ish-depoistëve (shfrytëzuesve të depove në Pallatin e Rinisë) të cilët u dëmtuan në Rastin e djegies së Pallatit në vitin 2000, me ç’rast Gjykata nxori fajtor Pallatin e Rinisë dhe e detyroi të kompensojë dëmin ndaj paditësve në këtë rast kreditorëve”, thuhej në njoftimin e AKP-së.

E në Prishtinë, sipas këtij Projektligji që pret miratimin në Kuvend, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës. Pra, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e kryeqytetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme