Pandemia ka rënduar shëndetin mendor të fëmijëve me nevoja të veçanta

Prishtinë | 15 Shk 2021 | 08:03 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pandemia ka ndikuar drejtpërsëdrejti në shëndetin mendor të fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve me Sindromën Down, dhe atyre pa kujdes prindëror. Ndërsa organizatat që merren me përkujdesjen e këtyre fëmijëve janë përballur me mungesë të fondeve, si pasojë e krizës pandemike, raporton Ekonomia Online.

Nga Forumi Kosovar i Personave me Nevoja të veçanta, kryetari i saj Bujar Kadriu në intervistë për Ekonomia Online tha që gjendja emocionale apo shëndeti mendor i fëmijëve me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë ka qenë shumë i rënduar dhe ka afektuar drejtpërsëdrejti në shëndetin e tyre.

“Padyshim që gjendja emocionale apo shëndeti mendor i fëmijëve me aftësi të kufizuar ka qenë shumë i rënduar sepse izolimi i tyre përveç që ka krijuar pasiguri te ta, njëkohësisht ka afektuar drejtpërsëdrejti në shëndetin e tyre dhe në gjendjen emocionale, dhe ata zakonisht këto izolime i kanë përjetuar vështirë sepse izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuar është një sfidë e madhe dhe e vetmja mundësi që të ambientohen me natyrën apo me ambientin ka qenë kur kanë pasur mundësi të jenë jashtë izolimit”, tha Kadriu.

Mes tjerash ai tha që kanë pasur dhe një numër të konsiderueshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuar që kanë qenë të izoluar edhe më herët për shkak të qasjes dhe mungesës së infrastrukturës, sidomos për fëmijët që janë përdorues të karrocave.

Tutje Kadriu tha që pandemia ka afektuar edhe në situatën ekonomike dhe sociale edhe të familjarëve të këtyre fëmijëve sepse një pjesë e konsiderueshme e prindërve kanë humbur vendet e punës.

“Padyshim që pandemia Covid-19 ka afektuar drejtpërsëdrejti tek personat me aftësi të kufizuar e në veçanti edhe familjet e tyre, duke marrë parasysh që situata ekonomike e sociale, ashtu kështu ka qenë e rënduar por pas Covid-19 konsideroj që kjo situatë e ka rënduar ekonominë familjare të tyre, sepse një pjesë e konsiderueshme e prindërve, si pasojë e Covid-19 tashmë janë pa punë, dhe fëmijët me aftësi të kufizuar përveç gjendjes ekonomiko-financiare apo gjendjes sociale atyre u është rënduar edhe qasja, e edhe jeta në përgjithësi dhe të kesh sot  fëmijë me aftësi të kufizuar brenda familjes është një sfidë”.

Kadriu theksoi dhe aktivitetet e punës që kanë bërë gjatë pandemisë ku ai nuk ka qenë i prekur me virus, dhe puna  e tyre ka vazhduar në shumë forma të ndryshme.

“Fatmirësisht unë nuk kam qenë i prekur me virus, aktivitetet nuk i kemi ndërprerë në asnjë moment por natyrisht kemi ndryshuar formën e aktiviteteve, kemi punuar online prej shtëpive, prej mundësive të cilat kanë qenë të kohës, ku kemi angazhuar edhe psikologe të ndryshme profesioniste diku rreth 40 psikologe kanë qenë të angazhuara të ofrojnë shërbime online për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe gjatë tërë kohës kemi qenë në kontakt me familjet e tyre, me fëmijët me aftësi të kufizuar dhe këto psikologe kanë punuar dhe që këto e kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv sepse kemi qenë në kontakte ditore me familjet e me fëmijët,  ku kemi dhënë këshilla se si duhet të mbrohen nga Covid-19”.

Ai flet edhe për ofrimin e shërbimeve të tjera dhe ndihmat që kanë dhënë për familje në nevojë, dhe përfshirjen e fëmijëve në pakon emergjente të qeverisë, ku sipas tij nuk ka munguar pjesa e avokimit dhe ndihmës.

Kadriu përmend dhe platformën online në shërbim të fëmijëve me aftësi të kufizuar për të dhënë informata shtesë në lidhje me Covid-19, dhe ndryshimin që pandemia ka sjell tek ta.

“Ky vit me vitin që lëmë pas ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, kur ballafaqohesh me diçka të panjohur është sfiduese dhe padyshim që edhe te fëmijët me aftësi të kufizuar ka afektuar sikur qytetarët e tjerë, Covid-19 ka ndryshuar jetën edhe ashtu të rënduar, por ne duhet të shohim në bazë të mundësive që na ofrohen, vlen të ceket që kemi lansuar një platformë online që do japim shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuar, do t’i ofrojmë informata lidhur me covid-19, dhe deri tash atë platformë e kanë vizituar mbi 400 mijë persona në Kosovë dhe vendet e ndryshme sepse është në tri gjuhë, gjuhën shqipe, angleze dhe serbe dhe ajo platformë është një platformë emergjente ku ne i rekomandojmë në bazë të organizatave botërore të shëndetësisë me mekanizmat përgjegjëse dhe kanë mundësi të marrin informata shtesë”, përfundoi Kadriu.

Në anën tjetër edhe Organizata e fëmijëve pa kujdes prindëror- OFAP, thonë që si çdo organizatë tjetër edhe organizata e tyre ka qenë e sfiduar nga gjendja pandemike.

Shukrije Kojçiqi- Koordinatore e  OFAP tha që kanë ofruar shërbime dhe seanca psikologjike duke ju dhënë rekomandime këtyre fëmijëve dhe familjarëve të tyre.

“Sikurse krejt organizatat edhe ne kemi pasur sfida të ndryshme, mirëpo jemi mobilizuar, kemi marrë një iniciativë mobilizuese brenda stafit që të jemi sa më afër fëmijëve dhe sa më afër me familjet strehuese qoftë për fëmijët që i kemi në strehim, por edhe kategoritë e  tjera të cilat i mbështesim, ku psikologet e kontraktuara nëpër qendra për punë sociale, janë involvuar në raste të ndryshme duke ofruar shërbime e seanca psikologjike”.

Tutje ajo thotë  që problemin më të madh e kanë pasur me fëmijët me aftësi të kufizuar, ku izolimi ka shkaktuar një mbyllje në vetvete si pasojë e shkëputjes nga aktivitetet sociale, ndërsa tek fëmijët me zhvillim tipik nuk kanë pasur.

“Gjatë pandemisë rastet apo sfidat që kemi hasur tek fëmijët fatmirësisht tek fëmijët me zhvillim tipik nuk kemi pasur sepse jemi mobilizuar, kemi ofruar 24.7 shërbime psikologjike do të thotë ju kemi ofruar mbështetje psiko-sociale me këshilla dhe rekomandime familjeve që të kujdesen për fëmijët por në të njëjtën kohë duke i angazhuar edhe fëmijët me aktivitete të ndryshme rekreative edukative, ndërsa sfida kemi pasur me fëmijët me aftësi të kufizuar do të thotë me fëmijët që janë me zhvillim atipik, që kanë ngecje në zhvillim, për shkak se izolimi i ka penguar dhe ka shfaqur një mbyllje pak në vetvete” tha ajo

Ajo thekson edhe problemet e tjera që janë ballafaquar, duke përfshirë  izolimin dhe karantinimin ku edhe lajmet sipas saj kanë ndikuar në gjendjen emocionale të tyre, por edhe mungesa e fondeve për mbështetje.

“Ka ndikua kjo normalisht sikur te të gjithë, pandemia Covid-19 ka qenë globale dhe ka sjellë shqetësime shumë të mëdha qoftë në sektorin social, ekonomik, besa edhe politik, duke e pasur parasysh vitin 2020 në Kosovë kemi pasur disa rënie qoftë politike mirëpo ka ndikuar këtu edhe tek ne si organizatë për shkak të mungesës së fondeve, por edhe vet izolimi e karantina dhe lajmet e ndryshme ku ne kemi rekomanduar që lajmet dhe çfarë jepet në medie të jetë në  prezencë të një familjari apo prindi strehues, sepse ndikon në shëndetin emocional të grupmoshave të ndryshme, kjo mund të themi se Covid-19 dhe rastet e marra krijojnë ankth e stres, e po ashtu  edhe ndërprerja me aktivitetet sociale,  me shkollën kjo pak ka qenë stresuese dhe edhe zëvendësimi i mësimit online, por jemi kujdes të ju qëndrojmë afër edhe përmes këshillave, të mos krijojnë panik dhe stres, dhe këshilla që t’i respektojnë masat”, u shpreh tutje Kojçiqi.

Kojçiqi po ashtu tha që nuk kanë qenë të prekur nga Covid-19 dhe kjo i ka lehtësuar punën që të ofrojnë shërbime, dhe të ofrojnë këshilla tutje.

E anulimi i shumë aktiviteteve si pasojë e pandemisë edhe tek Shoqata e Down Syndrome Kosova ka qenë shumë sfiduese.

Drejtoresha e kësaj shoqate Sebahate Beqiri tha që anulimi i një numri të madh të aktiviteteve ka ndikuar shumë te ta.

“Pasojat e krijuara nga pandemia kanë qenë shumë sfiduese, tash jo vetëm në nivel të shoqatës, në nivel vendit por në nivel global, mirëpo në këtë rast specifikisht për situatën që është krijuar nga pasojat e pandemisë kanë qenë shumë sfiduese për organizatën, duke pasur parasysh edhe anulimin e një numri të madh aktiviteteve, aktivitete në rend të parë të cilat edhe kanë kontribuar në socializimin apo në gjendjen emocionale të individëve me Sindromën Down, mirëpo edhe aktiviteteve të cilat kanë ndikuar në ngritjen e fondeve të organizatës” tha Beqiri.

Ofrimi i shërbimeve për rreth 300 persona me Sindrome Down pa pagesë, nga kjo shoqatë dhe qëndrueshmëria e këtyre shërbimeve gjatë periudhës së pandemisë ka qenë sfiduese .

“Ashtu siç tashmë e kemi bërë të njohur për publikun edhe gjithë ata që përcjellin punën e organizatës tonë, ne jemi një organizatë që ofrojmë shërbime brenda katër qendrave regjionale në nivel të vendit,  organizata jonë fushë veprimtarinë e saj e ka të shtrirë komplet në territorin e Republikës së Kosovës, tek pjesa e shërbimeve ne ofrojmë shërbime për rreth 300 persona me Sindromën Down shërbim që ne ofrojmë brenda katër qendrave tona ofrohen pa pagesë për komunitete dhe qëndrueshmëria e këtyre shërbimeve në vazhdimësi është sfiduese, ka qenë sfiduese edhe para fillimit të pandemisë, mirëpo me vet faktin që e potencova që ne jemi detyruar të anulojmë shumë aktivitete që kanë ndikuar në ngritjen e fondeve, me të vërtetë na kanë sjell në një situatë shumë të vështirë financiare”, tha ajo.

Ajo tha që përderisa nuk kanë pasur një mbështetje të qëndrueshme nga institucionet përkatëse edhe ofrimi i shërbimeve vazhdon të jetë sfidues.

Përballimi më i madh i tyre ka qenë infektimi me Covid-19  ku pjesa më e madhe e stafit dhe e anëtarëve kanë qenë të infektuar.

“Pothuajse pjesa më e madhe e stafit, përfshirë edhe mua, kemi qenë të infektuar nga Covidi, por për fat të mirë e kemi tejkaluar pa pasoja të mëdha shëndetësore, gjithashtu kemi pasur edhe anëtarë të cilët kanë qenë të infektuar, mirëpo për fat të mirë edhe anëtarët sidomos duke pasur për bazë edhe aspektin shëndetësor që personat me Sindromën Down kanë potencial më të madh të jenë të infektuar nga Covidi pasi kanë edhe një imunitet më të dobët,  por për fat të mirë kanë kaluar me pasoja shumë të lehta”, u shpreh tutje ajo.

 Ajo përfundon me aktivitetet që kanë organizuar  dhe mbështetjen e anëtarëve qoftë me pako ushqimore apo higjienike, për të qenë sa më afër mbështetjes dhe kontaktit me ta.

Të ngjashme