Pensionistët marrin përkrahje nga Avokati i Popullit të Kosovës

Prishtinë | 19 Tet 2020 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion nga Federata Sindikale e Pensionistëve, Invalidëve e të Moshuarve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Sylejman Meta, janë takuar sot me Avokatin e ri të Popullit, Naim Qelaj. Kryetari Meta kërkoi nga Avokati i Popullit të angazhohet për kthimin e pensioneve nga Serbia.

“Pensionistët e paraluftës nga Kosova, me gjithë Vendimin e Gjykatës së Strasburgut, nuk marrin pensionet e tyre”, ka shprehur brengën Meta.

Ai njoftoi avokatin se ekziston lista prej 88.901 pensionistëve, të cilët gëzojnë të drejtën e kthimit të pensioneve nga Serbia.

“Në dhjetor të vitit 2019 kam dorëzuar dokumentacionin zyrtarë të pensionistëve të paraluftës 1999, të cilët plot 20 vjet janë privuar nga e drejta në pension, për të cilin kanë derdhë kontribute 40 vjet. Të drejtën në pension e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut. Dokumentacionin ia kam dorëzuar zyrtarisht: UNMIK-ut, Fondit Republikan të Serbisë dhe Komitetit të Strasburgut në Beograd, që përcjell zbatimin e vendimit për pensionet, sipas vendimeve të GJNSDNJ”, ka njoftuar Meta, duke potencuar se nuk kanë marrë asnjë përgjigje deri më tash.

Megjithatë, Meta shtroi pyetjen se pse qeveria serbe mund ta pengojë Vendimin e Gjykatës së Lartë të Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, kurse institucionet tona nuk angazhohen fare që të realizohet vendimi i Gjykatës?!

Meta po ashtu kërkoi nga Avokati i Popullit Naim Qelaj, të angazhohet që mjetet që marrin pensionistët e paraluftës nga qeveria e Kosovës, të mos quhen pensione, sepse kjo gjë po i dëmton pensionistët e Kosovës, të cilët Serbia i refuzon me arsyetimin se nuk mund të marrin dy pensione. Sindikata e pensionistëve kërkon që t’i ndërrohet emërtimi, të quhen ndihma sociale apo diç tjetër, sepse edhe nuk mund të quhen pension, pasi që pensioni merret nga Fondi Pensional.

Veç çështjeve tjera, delegacioni i Sindikatës së Pensionistëve ka kërkuar që edhe rritja e pensioneve të bëhet sipas ligjit, ashtu siç e kanë vendet rajonale, e jo të keqpërdoret për qëllime politike gjatë fushatës.

Sylejman Meta, kryetar i Federatës Sindikale të Pensionistëve, Invalidëve e të Moshuarve të Kosovës, tha po ashtu se kanë kundërshtuar që nga fillimi hartimin e ligjit për skemat pensionale, sepse janë konstatuar shumë mangësi dhe nuk është kompatibil me shtetet e rajonit dhe Evropës.

“Ligji për skemat pensionale ka mangësi diskriminuese, neni 8, lusim institucionet ta heqin ose riformulojnë se u pranohet stazhi i të larguarve nga puna në vitet ‘90-99 me masa të dhunshme. Serbët e sjellë në punë të kenë të drejtën e 20 për qindëshit, ndërsa të larguarit jo. Kjo është e dëmshme për Kosovën”, tha ai.

Avokati i Popullit Naim Qelaj, ndërkaq, ka shprehur gatishmërinë e tij që të merret seriozisht me kërkesat e pensionistëve. Ai u pajtua se do të ishte më mirë sikur kërkesat për kthimin e pensioneve të bëhen në mënyrë të organizuar, me ndihmën e shtetit, e jo në mënyrë individuale. Avokati Qelaj premtoi se do të organizojë një takim tjetër ku do të ftohen edhe aktorë të tjerë relevantë, për të kërkuar rrugën e drejtë për zgjidhjen e çështjes së pensionistëve të paraluftës.

Të ngjashme