Prindërve të Deharit nuk u dorëzohet raporti i ardhur nga Zvicra

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 14:48 | Nga Arlinda Sejdiu

Prindërve të Astrit Deharit, Prokuroria Themelore në Prizren nuk ia ka dorëzuar raportin e ardhur nga instituti zviceran, raporton Ekonomia Online.

Babai i Astritit, Avni Dehari, tha se është turp që si familje nuk njoftohen nga institucionet përgjegjëse, raporton Ekonomia Online.

“Është turp që ne si familje nuk njoftohemi prej institucioneve përgjegjëse, nuk ftohemi po detyrohemi përmes medieve me u informuar për rastin”, tha Dehari.

Ai tha se ndonëse shkuan për raport, nuk arritën ta marrin, dhe duhet të presin edhe disa ditë.

“Nuk na dhanë raportin, e kërkuam në gjuhën zyrtare që ka ardhur po nuk na dhanë, thanë me prit edhe disa ditë”, theksoi ai.

Raporti që tregon detajet për mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit, i cili vdiq para tre vjetësh në burg, ka arritur të mërkurën dhe pritet të përkthehet në gjuhën shqipe.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi i ka thënë Ekonomia Online se raporti duhet t’i dërgohet atij dhe familjes, në një kopje të origjinalit, të pa përkthyer në gjuhën shqipe.

LEXONI EDHE:

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, në një konferencë për media, të enjten ka njoftuar se tashmë ka ardhur raporti përfundimtar i rastit të vdekjes të dyshimtë të aktivistit të Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Ai u tha medieve që përmbajtja e tij nuk dihet ende dhe nuk do të bëhet publike deri sa të pranohet edhe nga prokurori i rastit, Metush Biraj, për hetim.

LEXONI EDHE:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme