Projekti madhor i ATK-së

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 10:47 | Nga

Një ndër projektet më të sukseshme të Administratës Tatimore të Kosovës, pos atij të kuponëve fiskalë pa dyshim se është  edhe platforma e deklarimit elektronik apo shkurtimisht (EDI).

Ishte viti 2011 kur ATK-ja e lansoi këtë projekt madhor elektronik, ku me këtë platformë ka qenë në dispozicion për bizneset që janë të kategorizuara në Drejtorinë e Tatimpaguesve të mëdhenj.

Ndërsa për pjesën tjetër të tatimpaguesve mundësia e përdorimit të EDI-së ka qenë nga fillimi i vitit 2012.

Në një përgjigje për “Indeksonline” zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa ka treguar të arriturat e këtij projekti gjatë kësaj periudhe.

Ajo ka bërë të ditur se sa është shifra totale e deklaratave të shkarkuara nga kjo platformë elektronike. Ndërsa vetëm për këtë vit është gjysmë milioni.

“Që nga lansimi i kësaj platforme elektronike e deri më tani, numri i deklaratave të shkarkuara është 7.5 milionë. Ndërsa, vetëm këtë vit deri më tani janë shkarkuar 535,453 deklarata. Numri i tatimpaguesve që janë të regjistruar në EDI është 79,747”, ka thënë ajo.

Më tej, Bytyqi-Sefa thekson se Deklarimi elektronik –EDI është mënyrë moderne e cila, sipas saj, është (e avancuar), e shpejtë dhe e thjeshtë për ta deklaruar tatimin.

Tutje, ajo tregon se çka mundëson  ky projekt i rëndësishëm i ATK-së.

“Ky sistem mundëson dhe krijon një llogari online të tatimpagueseve me ATK-në, ku mund të plotësohen dhe deklarohen: deklarimin dhe pagesën e të gjitha Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale, gjenerimin e fletëpagesës për borxhet e pashlyera që nga viti 2011, pasqyra mbi gjendjen e tatimpaguesit që nga viti 2011, gjenerimin e Vërtetimit Tatimor për biznese, raportimin e Blerjeve mbi 500 euro, caktimin e personit të autorizuar, ndryshimin e profilit dhe fjalëkalimit, kontrollimin e historisë dhe bilancit tatimor, kërkesë për ndihmë, etj.”, është shprehur Bytyqi-Sefa për “Indeksonline”.

Në fund ajo thotë se Administrata Tatimore e Kosovës në prioritet ka ofrimin e shërbimeve profesionale dhe transparente duke ndjekur praktikat më të mira të administratave tatimore moderne të vendeve të zhvilluara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme