Regjistrimi i diasporës me pyetësor të veçantë, familjarët i japin të dhënat – ASK ka një kërkesë për ta

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 08:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Regjistrimi i diasporës po shihet si proces sfidues, bëhet thirrje që mërgata të përfshihet sa më shumë në procesin e regjistrimit.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet që të filloj me 1 shtator të vitit të ardhshëm, mirëpo përgatitjet për procesin e regjistrimet tashmë veç se kanë filluar. Mirëpo sfiduese në këtë proces po shihet regjistrimi i diasporës, raporton Ekonomia Online.

Ilir Berisha zv.kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, tha se kanë bërë përgatitjet për procesin e regjistrimit ku përfshihen edhe mërgimtarët.

Madje ai theksoi se për diasporën janë përgatitur pyetësor të veçantë ku përfshihen pyetjet thelbësore.

 “Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet që të bëjë një regjistrim të plotë dhe gjithëpërfshirës. Gjithashtu edhe diaspora do të jetë e përfshirë në këtë regjistrim. Ne kemi përgatitur pyetësorët, është pyetësorë i veçantë, i cili do të bëjë regjistrimin e diasporës me treguesit kryesorë që përfshihen emri, mbiemri, gjinia, mosha etj”, tha ai.

Berisha tha se regjistrimi i diasporës do të bëhet nga ndonjë anëtar i familjes që jetojnë në Kosovë ose për gjashtë javë sa pritet të zgjasë procesi i regjistrimit mërgimtarët mund të vijnë personalisht në vend dhe të regjistrohen. 

“Regjistrimi i tyre do të mundësohet përmase anëtarëve të familjes që janë prezentë në Kosovë dhe vetë kohëzgjatja e regjistrimit në terrene që është 6 javë do t’i mundësoj të gjithë mërgatës dhe diasporës që të bëjnë regjistrimin e tyre ose përmes të afërmeve të tyre ose përmes një anëtari të tyre të familjes të vije në Kosovë gjatë këtyre gjashtë javëve dhe të bëjë regjistrimet”, tha ai.

Blerinë Ukshinin nga organizata “Germin”, tha se regjistrimi i diasporës është një sfidë, por që sipas saj, është shumë e rëndësishme që diaspora të regjistrohet dhe të dihet numri i saktë i atyre që jetojnë jashtë Kosovës.

Ajo tha se regjistrimi i diasporës do të ndikojë në buxhetimin e komunave, për planifikimin e projekteve të ndryshme, duke shtuar se si organizatë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e vendit për procesin e regjistrimit.

“Në fakt do të jetë sfidë mjaftë e madhe, por institucionet shtetërore duhet të krijojnë mekanizma të cilët dallojnë popullatën rezidente dhe jo rezidente në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që të identifikojmë numrin se sa e kemi në diasporë. Gjithsesi duhet  të ndahen nga rezident dhe jo rezident, për shkak se shumë herë komuna duke u bazuar në statistikat të cilat kanë dalë nga regjistrimi i fundit i vitit 2011, kemi pasur disa kamuflime të popullsisë për shkak se kanë ndikuar dhe do të ndikoj në buxhet të përgjithshëm të komunave, për këtë arsye shumica e komunave e regjistrojnë edhe diasporën si shtetas rezidence për shkak të ndarjes së buxhetit në bazë të popullsisë”. 

 “Është shumë e rëndësishëm që të dihet numri i saktë i diasporës, deri me tani nuk kemi të dhëna të sakta se sa e kemi popullsinë në diasporë. Kjo do të na ndihmonte në projekte konkrete në buxhetim konkret, për planifikimin e projekteve të ndryshme për ti përfshirë diasporën sa më shumë në vendin amë. Ne si Germin jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me qeverinë edhe në planifikime dhe rekomandime se si duhet të identifikohen diaspora dhe të bashkëpunojmë me ta”.

“Duhen të regjistrohen dihet se janë pjesë e Kosovës, por duhet të ndahen nga popullsia rezidente sepse kjo do të ndihmonte shumë në planifikimin për shtetasit rezident të Kosovës dhe do të, në anën tjetër do të ndihmonte që të identifikoheshin numri i saktë i diasporës shqiptare”, tha ajo.

Lexo më shumë:

Të ngjashme