Rufki Suma: S’po gjykohen kriminelët që kryen krime, por ata që e sollën lirinë

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti Rufki Suma i cili nga viti 1998 deri në ditën e çlirimit të Kosovës ka qenë i vendosur në fshatin Pustenik, ku edhe ka vepruar njësiti i parë i UÇK-së, ku më pas ai njësit u zgjerua deri në themelimin e Brigadës 164 thotë se të gjitha aktivitetet luftarake i kanë kryer në këtë fshat.

Por, Suma thotë se përveç Pustenikut njësitet e UÇK-së kanë qenë të zgjeruara edhe në pjesën tjetër të lumit Lepenc dhe në rajonin e Dimncës ku përveç aktiviteteve luftarake, gjithmonë janë marrë edhe me trajtimin e qytetarëve të Kosovës të cilët i dëbonin me dhunë për në Maqedoni.

“Ne kemi qenë në mal, s’kemi pasur kontakte fizike në qytet sepse s’kemi dashur që të afrohemi afër kolonës së refugjatëve edhe pse kemi pasur provokime nga ushtria dhe policia serbe sidomos në rrugën kryesore Hani i Elezit – Kaçanik që vazhdimisht ka qenë e mbushur me refugjatë të cilët i mbanin edhe si peng dhe vazhdimisht ata na sulmonin neve. Duke dashur që ta mbrojmë popullatën asnjëherë nuk kemi lejuar që të gjuajmë sepse ishim të vetëdijshëm se ata mëzi prisnin që ne të gjuanim dhe ata të hakmerreshin në popullatë”, është shprehur Suma në Info Magazine në Klan Kosova.

Tutje, Suma i cili tash e mban pozitën e të parit të komunës së Hanit të Elezit thotë se gjatë luftës kanë pasur edhe kamerë ku kanë bërë incizime, por që në shumicën e rasteve kanë incizuar refugjatë që kalonin në atë pjesë.

“Kemi incizuar trenin që barte refugjatë, pra e kemi filmuar të gjithë atë dhunë që është bërë ndaj shqiptarëve, e kemi të filmuar ndërsa pikërisht për këtë arsye ne kemi bërë edhe padi sepse kemi pasur edhe dëshmi. Por, fatkeqësisht në vend që të gjykohen këta kriminel që e kanë shkaktuar këtë dhunë, po gjykohen ata që e kanë e bënë luftën dhe ata që e sollën lirinë”, ka thënë Suma, njofton Klankosova.tv.

Të ngjashme