Shala: Në shkollat e Prishtinës janë 200 raste të konfirmuar me Covid-19

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, ka folur për situatën me pandeminë me të cilën po përballen nxënësit dhe mësimdhënësit në kryeqytet.

Shala në Info Magazinë në Klan Kosova tha se në shkollat e Prishtinës paraqiten çdo ditë 20 deri në 25 raste të reja me COVID-19.

“Është e vërtetë që ditëve të fundit kemi pasur kemi pasur ngritje të rasteve. Domethënë brenda një dite ndodh të i kemi 20 deri në 25 raste të reja që i marrin rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”.

Ajo theksoi se aktualisht dy shkolla po vijojnë mësimin në formën online.

“Për momentin kemi dy shkolla me skenarin C të mësimit. Bëhet fjalë për shkollën “Meto Bajraktari”, të cilët nga klasa e parë e deri tek klasa e nëntë, janë komplet me skenar C të mësimit online, kurse shkolla “Iliria” është nga klasa e parë e deri tek klasa e pestë”.

E para e arsimit në kryeqytet tha se numri i rasteve të konfirmuara deri më tani në Prishtinë është 200.

“Kjo nuk i përjashton as shkollat e tjera, sepse ka klasa që kanë kaluar në skenarin C të mësimit. Nëse një nxënës del pozitiv atëherë komplet ai grup i klasës shkon në mësim online. Është vështirësuar puna dhe vijueshmëria e rregullt”.

“Deri sot është rreth 200 raste. Këtu përfshihen nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave që i kemi të raportuar nga IKSHPK. Por, ka edhe plot raste që nuk raportohen. Nxënësit mungojnë në shkollë por nuk testohen”.

Shpresa Shala deklaroi se mësimi online për kah aspekti i humbjes së mësimit do të jetë dëm i madh, pasi që sipas saj nuk është njëjtë sikur mësimi që mbahet në shkolla.

“Përderisa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka shënimet për të gjithë Kosovën ashtu edhe për Prishtinën, ne jemi joprofesionistë që të kundërshtojmë rekomandimet e tyre. Por, për nga aspekti i humbjes së mësimit do të jetë një dëm i madh. Sepse nuk është njëjtë sikur mësimi online, sikur mësimi që mbahet në shkollë. Por, njëherë ne prioritet e kemi shëndetin e nxënësve dhe të punësuarve në arsim”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme