Shënohet Dita e Tokës në Ferizaj, qeverisja lokale e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Në shënim të Ditës së Tokës, kreu i Komunës së Ferizajt i prirë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale dhe Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, dolën në sheshin “Adem Jashari” për të mbjellë drunjë dekorativ dhe lule si dhe për të ndarë me qytetarët një mesazh për këtë ditë.

Politikat e qeverisjes lokale në mbrojtje të mjedisit janë të përditshme dhe aksionet e tilla janë të shtrira në të gjithë territorin e Ferizajt, gjatë gjithë vitit u shpreh me këtë rast i pari i Ferizajt, Agim Aliu i cili shtoi se edhe me angazhimin e inspektoratit po bëhet një punë e madhe për mbrojtjen e mjedisit, duke dënuar ndotësit.

“Sot simbolikisht po e shënojme Ditën e Tokës dhe ju e dini se ne si qeverisje komunale jemi të përkushtuar që në çdo ditë, praktikisht të shërbejmë për ambientin tonë, për planetin tonë, të shërbejmë për Tokën sepse nuk kemi alternativë tjetër dhe kjo është e vetmja që ne duhet të përkujdesemi. Pra, masat që kemi ndërmarr janë masa çdoditore dhe të vazhdueshme por ne sot po e shënojmë simbolikisht këtë ditë me disa nga aktivitetet, mbollëm disa drunjë poashtu mbollëm edhe lule. Sigurisht se do të vazhdojmë me këto aksione edhe në pjesë tjera, jo vetëm këtu në qendër të qytetit dhe gjithashtu, ajo që është më e veçanta është se jemi duke shtuar, respektivisht intensifikuar aktivitetet sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Pra përveç mbjelljes së drunjve, luleve dhe vendosjes së konteinerëve të vegjël në hapësirat e sheshit të qytetit, jemi duke marr masa edhe për mbrojtjen e ambientit me veprimet e Inspektoratit të Komunës, çdo ditë e më tepër jemi duke shpërndarë gjoba mandatore, e gjithë kjo jo me dëshirën, jo me vullnetin tonë, por jemi duke e parë si diçka të domosdoshme si veprim, i imponuar për faktin se gjithnjë e më shumë jemi duke pasur keqbërës, mosrespektues të mjedisit dhe duke e respektuar ne atë që ofron legjislacioni, kemi vënë në veprim inspektoratin dhe ai tashmë është duke ndërmarr veprimet e duhura” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Të ngjashme