Shqiptarët mobilizohen për ta raportuar lojën serbe që paraqet krimet e kryera në Kosovë

Prishtinë | 14 Dhj 2020 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Në Serbi janë krijuar video-lojëra përmes së cilave paraqiten krimet që janë kryer në Kosovë.

Forcat policore dhe ushtarake serbe u nisën drejt lagjes Jashari në Prekaz.

Në këtë betejë që zgjati tri ditë, ra Komandanti Legjendar Adem Jashari.

E për tri ditë sa zgjatën luftimet u vranë 56 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra e fëmijë.

E pikërisht ky operacion po përsëritet nga serbet 22 vite më pas, por kësaj radhe në mënyrë virtuale.

Në fakt, likuidimi i Adem Jasharit është vetëm një nga misionet e video lojës “Arma Srbija” brenda së cilës shfaqen edhe imazhe të betejës reale me 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Një video e tillë e klikuar rreth 80 mijë herë është publikuar në Youtube nga vetë administratorët e kësaj loje.

Pos kësaj, në shkurtin e 2019-tes është publikuar edhe misioni tjetër, i quajtur “Operacioni Reçak”

Në përshkrimin e operacionit të kësaj loje virtuale, nuk përmendet fare masakra e Reçakut që la 45 civilë shqiptarë të vrarë.

Për më tepër, në këtë video të Arma Srbija mund të shihen edhe pjesëtarët e vrarë të UÇK-së.

E publikuar në vitin 2013, ndërsa e përditësuar disa vite më pas, kjo lojë numëron rreth 300 përdorues.

Ndërkohë, kjo u përcoll me kritika të organizatave ndërkombëtare që monitorojnë lojërat kompjuterike në internet, duke aluduar në nxitje të urrejtjes tek moshat e reja.

Reagim të ashpër pati edhe nga kosovarët që luajnë lojëra të ngjashme.

Në grupin e tyre të përbashkët në Facebook, ata u mobilizuan që ta raportojnë “Arma Srbija” si një lojë që promovon terrorizëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme