Shtimja ngre monumentin UÇK

Prishtinë | 06 Mar 2021 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Shtimes ka përkrahur financiarisht ndërtimin e një monumenti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Pjetershticë. Ky projekt kishte filluar nga një iniciativë vullnetare, nga shoqatat e dala nga lufta dhe nga ish-batalioni i dytë “Ruzhdi Salihu”. Këto tri shkronjat të monumentit “UÇK” janë vendosur në pjesën e epërme të fshatit Pjetershticë, përballë kazermës së këtij batalioni. Në këtë pjesë malore, në të ardhmen Komuna e Shtimes ka planifikuar të ndërtojë edhe një park për rekreacion të banorëve.

Ramiz Qeriqi, ish-komandant i Batalionit të dytë “Ruzhdi Salihu”, ka thënë për KOHËN se së bashku me iniciativën dhe komunën kanë ndërtuar këtë monument i cili ka për qëllim ruajtjen e vlerave të luftës.

“Këto tri shkronja të cilat shihen nga të gjitha fshatrat e Drenicës, simbolizojnë lirinë që po e gëzojmë sot. Është një monument i mirë se gjeneratave të reja iu tregon se kjo liri që sot e gëzojmë ka ardhur përmes luftës”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij, armiqtë e jashtëm por edhe të brendshëm janë munduar t’i njollosin këto tri shkronja, por asnjëherë nuk ia arritën qëllimit.

“Këto tri shkronja ishin dhe do të mbesin të pastra sepse nën këtë emblemë u bë një luftë e pastër dhe e drejtë”, ka thënë ai. “Përkundër përpjekjeve të disave për ta mohuar si të tillë, vlera e UÇK-së do t’i rezistojë kohës”.

Ai ka shtuar se është projekti i parë në Kosovë i cili mbanë këto shkronja me dimensione të mëdha me mbi tre metra secila. Ai ka shtuar se komuna e ka mbështetur projektin me rreth katër mijë euro.

KOHA ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, i cili ka deklaruar se gjithmonë i ka përkrahur iniciativat vullnetare dhe shoqatat e dala nga lufta. Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime e vendit.

“Gjithmonë e kemi nderuar UÇK-në për sakrificën sublime dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin, për lirinë dhe paqen. Andaj ne e kemi përkrahur iniciativën e këtyre qytetarëve për ngritjen e këtyre tri shkronjave të UÇK-së. Prandaj sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun, një respekt dhe solidaritet për njëri-tjetrin. Sa i përket kësaj hapësira ku janë vendosur këto tri shkronja, komuna në të ardhmen ka projekte shumë të mira për rekreacion të qytetarëve”, ka thënë Ismajli.

Ky monument do të përurohet të dielën dhe do të ndizen zjarre në shenjë solidarizimi me Prekazin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme