Zgjedhjet do të kushtojnë rreth 6 milionë euro, fushata fillon më 25 shtator

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 13:53 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur mbledhje pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se Këshilli për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar buxhetin që nevojitet për këto zgjedhje.

“Ne dje kemi marrë dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen me 6 tetor. Këshilli për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar buxhetin për këto zgjedhje. Ne si KQZ do ta dërgojme kërkesën në institucione dhe presim që buxheti i kërkuar të alokohet në xhirollogarinë tonë. Ne organizojmë zgjedhje kur kemi para, nëse nuk kemi para ne i zhvillojmë procedurat deri ku na mundësohet ligjërisht”, ka thënë ajo.

“Fushata Zgjedhore fillon me 25 shtator, përfundon me 4 tetor. Janë dhjetë ditë fushatë. Po ashtu aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon me 30 gusht deri me 10 shtator”, ka thënë Daka

Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, ka thënë se sipas analizave, këtij institucioni i duhen rreth 6 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai tutje ka shtuar se çështja e buxhetit duhet të trajtohet sa më shpejt dhe institucionet nuk duhet t’i vonojnë mjetet.

“Kemi trajtuar buxhetin që na duhet, mbi 5 milionë euro. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit sepse është konsideru rritja e pagesave për trajnerë, kryesues të qendrave të votimit. Duhet të trajtohet sa më shpejtë sepse institucionet nuk duhet të na vonojnë për mjetet “, ka thënë ai.

Kryeshefi i KQZ-së, Enis Halimi ka thënë se asnjë procedurë nuk mund të kryhet pa alokim të buxhetit.

“Është shqetësuese sepse sot miratohet buxheti tek ne, ndërsa ne nuk mund të miratojmë asnjë procedurë që ka të bëjë me furnizime me qëllim të organizimit të procesit zgjedhor. Pa u alokuar buxheti dhe pa u bë i qasshëm ne nuk mund të bëjmë asgjë. Është e kot të merret vendimi sot, derisa nuk bëhet buxheti i qasshëm. Nuk mund të futemi në marrëdhënie kontraktuale për të siguruar materiale zgjedhore sepse nuk kemi alokim të buxhetit. Teknikisht është e pamundshme të bëjmë procedimet tona”, ka thënë ai.

Adnan Rrustemi nga LVV ka thënë se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që do ta pengojnë procesin e organizimit të zgjedhjeve.

Rrustemi ka shtuar se ka pasur diskutime për afatin e fushatë zgjedhore por që, sipas tij, ende nuk është përcaktuar. Ka thënë se ka pasur vlerësime se fushata duhet të zgjasë 10 ditë.

Sami Hamiti nga LDK-ja ka thënë se nuk ka arsye të mos merret vendimi për buxhetin, pasi që sipas tij, ka mjete.

“Situata nuk është e ndryshme sepse edhe qeveritë tjera kanë qenë në detyrë. Në 2017 buxhetin e kemi marrë pas dy ditësh. Nuk ka asnjë arsye që të mos merret vendimi për buxhetin sepse është Qeveri në detyrë. S’ka asnjë hezitim që mjete ka”, ka thënë ai.

Afati për deklarimin e koalicioneve do të jetë deri në orën 00:00 të datës 30 gusht.

Të ngjashme