Kevin De Bruyne pritet të largohet nga Napoli, ndërsa emri i tij ka filluar të lidhet me disa klube evropiane dhe jashtë kontinentit.
Sipas raportimeve të fundit, mesfushori belg u është ofruar përmes ndërmjetësuesve dy gjigantëve të futbollit turk, Fenerbahçes dhe Galatasarayt.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre klubeve nuk besohet të jetë veçanërisht i interesuar për transferimin e tij, kryesisht për shkak të kushteve financiare dhe moshës së futbollistit.
De Bruyne po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij, ndërsa Napoli thuhet se kërkon të paktën 10 milionë euro për të nisur negociatat gjatë afatit kalimtar të janarit.
Interesim për shërbimet e belgut ka shfaqur edhe PSV Eindhoveni, i cili ka zhvilluar kontaktet e para dhe madje ka paraqitur një ofertë, por ajo është refuzuar nga klubi italian.
Ndërkohë, situatën e tij vazhdojnë ta përcjellin edhe Evertoni, disa klube nga Arabia Saudite dhe skuadra të Major League Soccer në SHBA.
Pavarësisht këtyre mundësive, një transferim brenda Evropës konsiderohet si skenari më i mundshëm për të ardhmen e 34-vjeçarit, i cili mund të ndryshojë ambient gjatë janarit.