Ndalohen tre persona të dyshuar dhe sekuestrohen rreth 136 kilogramë marihuanë

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se rreth 136 kilogramë substancë narkotike, e dyshuar si marihuanë, janë gjetur dhe sekuestruar në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes Doganaj-Kaçanik.

Operacioni është realizuar sot, pas një pune intensive hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre persona të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërkohë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhet në arrati.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u zhvilluar veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.

Sipas informacioneve fillestare nga hetimet, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohet se kishin organizuar transportimin e marihuanës nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të përfshirë.

Po ashtu, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet t’i paraqesë gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.

Të ngjashme