Ndalohet pas mesnatës në kufi aktivisti i kërkuar i VV-së

Prishtinë | 02 Sht 2016 | 15:35 | Nga

Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin e Vetëvendosjes në Lipjan, Fatmir Fetahu, derisa ky po e kalonte kufirin, së bashku me familjen, për të shkuar në pushime në Shqipëri.

Vetëvendosje thotë se arrestimi i tij është bërë pa urdhërarrest dhe pa ndonjë arsye.

Ndërkohë, Policia e Kosovës thotë se sot rreth orës 01:30, gjatë regjistrimit në dalje të shtetasit të RKS-së me iniciale F. F., i lindur më 1981 në Lipjan, “ai ka rezultuar pozitiv në listën e ndalimit që nga data 2 nëntor 2015, respektivisht sipas rastit të regjistruar ka qenë në kërkim nga hetuesia që nga ajo kohë”.

“Sipas procedurave ligjore, ai i është dorëzuar njësisë përkatëse të hetimeve rajonale në Prishtinë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në reagimin e saj, VV thotë se ky pushtet vazhdon të shfaqë brutalitetin e tij në gjitha format, dhe e gjitha kjo nga paniku prej fundit që po i vjen.

“Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet më e përkushtuar dhe më e angazhuar se kurrë për të çliruar vendin nga klani Pronto dhe veglat e tij”.

VV bën thirrje për lirimin e mënjëhershëm të aktivistit Fatmir Fetahu dhe fton institucionet e rendit dhe drejtësisë që “të ndalin përndjekjen e padrejtë të aktivistëve tanë sipas urdhrave të këtij pushteti kriminal”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme