Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka mbajtur ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të tij në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Robert Benjamin, drejtori regjional i NDI-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, ka thënë se është krenar me punën e këtij instituti përgjatë 25 viteve në Kosovë, të cilat i konsideron se kanë shkuar “sa hap e mbyllë sytë”, si dhe me rrugëtimin demokratik të vendit.
“25 vjet kanë shkuar se hap e mbyll sytë. Kur e konsideroj rrugëtimin demokratik të Kosovës, shoh kapituj të një libri qe ende po shkruhen. I pari mund te quhet ndërtimi. NDI është krenare qe ka qenë aty për ta udhëhequr këtë udhëtim. Ndërsa, kapitulli i dytë mund të quhet rritja e shtetit e demokracisë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Amerika është një mik që nuk ka hequr dorë asnjëherë dhe ka besuar fuqishëm në vendin tonë, pavarësisht sfidave.
Ajo shtoi se përmes programeve të tyre, mijëra gra kanë marrë mësime se si mund të jenë lidere të suksesshme.
“ShBA është një mik qe ka besuar fuqishëm në Kosovën, e që nuk ka hequr dorë kurrë nga Kosova, pavarësisht sfidave. Vizioni për një Kosovë demokratike na ka udhëhequr. Përmes NDI-së, individë të shumtë kanë lënë gjurmët e tyre në Kosovë. Përmes programeve të tyre, mijëra gra kanë marrë mësime se si mund të jenë lidere të suksesshme”, ka thënë Osmani.