Ndryshimi i tarifave ngrit çmimin e rrymës

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 11:01 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Propozimi për ndryshimin e tarifave nga Zyra e Regullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) do ta ngritë çmimin e rrymës.

Kështu vlerësojnë organizatat joqeveritare KOSID dhe INDEP të cilat kanë mbajtur tryezën me qytetarë dhe biznese për strukturën e re të propozuar nga ZRrE-ja, raporton Ekonomia Online.

Rinora Gojani nga KOSID-i, theksoi se kanë parë të nevojshme për të pasur diskutime me bizneset për ndikimet që do t’i ketë kjo strukturë e re tarifore në çmimin e energjisë.

Ndërsa, Dardan Abazi nga INDEP-i, tha se kanë bërë disa krahasime dhe analiza, por shtoi se ZRrE-ja duhet të jetë e hapur në këtë proces.

“Është shumë e rëndësishme që përpara këtyre ndryshimeve që ZRrE-ja të jetë e hapur dhe të zhvillojë diskutime dhe neve na ka zënë në befasi dhe ne është dashur të ngutemi dhe të bëjmë analiza. Gjithashtu ky ndryshim është bërë në një kohë kur po dalim nga sezoni dimëror. Mendoj që ZRrE-ja është dashur që të hartojë dokumente rreth impaktit që do të ketë tek ekonomitë familjare dhe gjithashtu impakti në tregun e energjisë”, ka thënë ai.

“Sa i përket tarifës së blloqeve tregon një tendencë në rritje të konsumit të energjisë deri në mbi 600 kilovatë. Tarifa në blloqe ka qenë e vetmja që ka shtyrë njerëzit për të kursyer energji edhe kjo tashmë po hiqet. Qytetarët nuk do të kenë tarifë tjetër në dimër, por nuk do të kenë pse të kursejnë energjinë në një kohë që kjo i duhet tregut energjetik. Kjo e demotivon qytetarin që të kursej rrymën”, tha Abazi.

Gjithashtu ata janë shprehur kundër leximit të njehsorit çdo muaj dhe çmimit për këtë shërbim.

“Në analizën që është bërë në disa fatura duke i kalkuluar me çmimet e reja të energjisë dhe në verë në përqindje vjetore kjo faturë e cila harxhon më pak se 600 kilovatë do të paguhej rreth 15 për qind më shumë. Ndërsa në një familje që harxhon pak më shumë se 600 kilovatë kjo familje do të paguante në 20 për qind më shumë energjinë. Është dashur të kihet parasysh se  këto tarifa do të ndikonin shumë në bizneset qe aktivitetet e tyre i zhvillojnë në verë kjo do të kishte një ndikim të madh”, theksoi ai.

Ndërsa, Ymer Fejzullahu nga Departamenti i Tarifave në ZRrE, tha se çdo dokument që aprovohet në bordin e ZRrE-së shkon në konsultim publik dhe ne i marrim parasysh të gjitha rekomandimet të dalin nga këto seanca publike.

“Edhe ne e kemi thënë atë që ju po prezantoni këtu. Në verë të këtij viti kemi pasur ndryshim të legjislacionit primar dhe ne duhet të jemi në harmoni me tregun e BE-së. Ne jemi të obliguar t’i plotësojmë kriteret dhe aty është paraparë që tash e tutje çmimi të jetë i pa rregulluar”, tha ai.

Ai theksoi se struktura e re vlen vetëm për konsumatorët familjarë dhe bizneset që kanë më pak se 50 punëtorë.

ZRrE-ja ka propozuar një strukturë që reflekton çmimin e tregut dhe për këtë arsye kemi propozuar këto tarifa që t’i mbrojmë konsumatorët që nuk mund të negociojnë çmimin. Kjo strukturë nuk është imponuese për askënd”, tha ai.

Të ngjashme