Në Bajgorë investohet 189 milionë € për energji me erë, Heldt thotë se ndihmon në tejkalimin e krizës

Bajgorë | 13 Kor 2020 | 13:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt kanë vizituar kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të komunës së Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë hapësirë janë do të investohen 189 milionë euro nga kompania kosovaro-gjermano-izraelite SoWi në energji nga era, ku do të prodhohen 105 MW energji nga korriku i vitit 2021.

E rëndësishme, siç potencoi kryeministri Hoti, është fakti se janë investitorë me emër evropian dhe botëror dhe se ky është një sinjal shumë i fuqishëm që Kosova është një destinacion i sigurt për investime dhe se prezenca këtu bashkë me ministrin dhe ambasadorin është tregues për kompaninë dhe investitorin se do ta kenë mbështetjen e qeverisë, për të lehtësuar të gjitha procedurat, në mënyrë që investimi të jetë i suksesshëm. 

“Jemi tepër të kënaqur që e shohim një investim kaq madhor edhe sa i përket nivelit të investimeve edhe konsorciumeve që janë bërë bashkë të investitorëve gjermanë dhe izraelitë, financuar nga banka siç është BERZH, Banka Sllovene dhe investitorët të tjerë, në një sektor që është i rëndësisë vërtet strategjike për vendin. 105 megavatë energji  elektrike që do të lëshohen në rrjet në vitin e ardhshëm, është një investim shumë i rëndësishëm për vendin”.

Kryeministri Hoti tha se ndihet i impresionuar me statistikat që u prezantuan, që shpejtësia e erës është më e madhe, rreth 9 metra në sekondë, që është më e madhe se në shumë vende të Gjermanisë, që e bën këtë projekt shumë fizibël për prodhimin e energjisë.

Ambasadori gjerman Christian Heldt, tha se përveç përfitimeve mjedisore, ky projekt do të mundësoj edhe tejkalimin e krizës së shkaktuar gjatë pandemisë, raporton EO.

“Ky projekt është një nga historitë e suksesit të Kosovës dhe tregon se përfitimet ekonomike dhe mjedisore mund të shkojnë paralelisht. Parku i erës nuk do të jetë vetëm burimi i energjisë së në vend por e ndihmon Kosovën që të zvogëlojë emetimet e CO2”.

“…projekti gjithashtu do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë lokale, e cila është edhe rënduar gjatë krizës aktuale ekonomike të shkaktuar nga pandemia”.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, tha se e ky është një ndër projektet më të mëdha që ai e ka përkrahur.  

“Kam fatin ta përkrah këtë projekt, më i madhi në energji 30 vitet e fundit, nga dita e parë kur isha kryeshef në KIESA deri tani në MBPZhR”.

Ky projekt i energjisë së erës, i cilësuar me standarde të larta pozitive dhe miqësore me ambientin, synon kapacitetin e përgjithshëm prodhues prej 105 megavatesh.

Kjo energji do të distribuohet në Vushtrri përmes linjës së transmisionit 110 kV të gjatë 19 kilometra, që gjithashtu është pjesë e investimit të projektit dhe do t’i transferohet KOSTT-it.

Projekti përbëhet nga 27 turbina të erës me kapacitet të përgjithshëm prej 105 megavatesh. Në realizimin e tij janë përfshirë edhe Notus Energy, General Elektrik dhe BERZH.

Ky projekt është paraparë që të përfundojë deri në prill të viti 2021 dhe do të ketë jetëgjatësinë së paku 25 vjet.

Të ngjashme