Në Ditën Botërore të Librit, Kolegji AAB themelon Çmimin “Masar Stavileci”

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 14:30 | Nga

“Mua më shumë më pëlqen të lexoj se sa të shkruaj”, kështu kishte thënë prof. Masar Stavileci, tashmë i ndjerë, në nderim të të cilit, Kolegji AAB, sot në Ditën Botërore të Librit, themeloi çmimin “Masar Stavileci”, për studentët dhe lexuesit e rregullt të Bibliotekës Universitare të Kolegjit AAB.

Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në një ngjarje të organizuar nga Biblioteka Universitare dhe Kolegji AAB tha me këtë rast se profesor Masari, ishte rektori i parë i Kolegjit AAB, ishte profesor, mik dhe koleg yni. “Ne kemi pasur fatin të jemi miq me të, dhe përveç faktit që ai ishte edhe autor dhe përkthyes i librit,  megjithatë ai gjithnjë e thoshte se më shumë i pëlqente të lexonte – andaj edhe ky çmim për të gjithë lexuesit e rregullt të Bibliotekës sonë Universitare”, tha Tafa.

Në ndarjen e këtij Çmimi ishin prezent edhe familjarët e prof.Masar Stavileci. Me këtë rast, i biri, Blerand Stavileci, tha se ndihemi të emocionuar por edhe shumë të nderuar si familje, që në një ditë kaq të veçantë, siç është Dita Botërore e Librit, rektori dhe Kolegji AAB kanë vendosur të mbajnë dhe nderojnë emrin e prindit tonë, “Babi e kishte librin mikun më të mirë! Ai jetonte për të, çdo gjë sillej rreth librit, për librin dhe me librin, andaj jemi shumë të nderuar pikërisht për këtë”, tha Blerand Stavileci.

Çmimin “Masar Stavileci” i cili u nda për herë të parë sot, për vitin 2018 e merituan 4 studentë, lexues të rregullt të Bibliotekës Universitare.

Të ngjashme