Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikut

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 21:52 | Nga Ekonomia Online

Irani ekzekutoi të paktën 71 persona gjatë muajit korrik, përfshirë gjashtë persona që morën pjesë në protestat masive kundër Qeverisë në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti, sipas organizatës joqeveritare me seli në Norvegji, Iran Human Rights (IHR).

Në një raport të publikuar më 6 gusht, IHR-ja tha se kjo shifër e çon numrin total të ekzekutimeve të regjistruara gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti në të paktën 444. Sipas organizatës, qindra persona të tjerë aktualisht janë të dënuar me vdekje.

Në Iran ka pasur një rritje të ekzekutimeve të personave që grupet për të drejtat e njeriut i konsiderojnë të burgosur politikë – nga protestuesit, tek anëtarët e dyshuar të grupeve të ndaluara dhe personave të dënuar për spiunazh – që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt.

Aktivistët thonë se rritja e ekzekutimeve është një përpjekje e autoriteteve iraniane për të ndjellë frikë tek iranianët dhe për të parandaluar përsëritjen e protestave mbarëkombëtare që tronditën udhëheqësit klerikalë në janar.

“Jemi thellësisht të shqetësuar se konflikti i ushtarak mes Republikës Islamike, SHBA-së dhe Izraelit do të përdoret për të intensifikuar ekzekutimet nën pretekstin e sigurisë kombëtare”, tha Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i IHR-së.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me presion më të fuqishëm dhe më të koordinuar kundër përdorimit të dënimit me vdekje nga Republika Islamike”, shtoi ai./REL

Të ngjashme