Në Kirurgjinë Vaskulare investohen 200 mijë €, Ismaili thotë se po kursehet xhepi i qytetarëve e zvogëlohet lista e pritjes

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 11:40 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kirurgjia Vaskulare për herë të parë po bëhet me sallën e tretë operative, me të gjitha pajisjet më moderne. Me investimet në këtë sallë do të dyfishohet numri i operacioneve me qëllim që të eliminohet lista dyvjeçare e pritjes. Ky projekt i ka kushtuar 200 mijë euro Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.

Rreth 100 mijë euro janë blerë pajisje të reja si: Tavolinë kirurgjike, Llampë operative, rinovim i tërësishëm i ambienteve të sallës së re etj.

Ndërsa 100 mijë euro janë shpenzuar për blerjen e aparaturave për sallën e vjetër, kurse aparat i Radiofrekuencave është donacion.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismajli tha se investimi në këtë Klinikë ka qenë kërkesë e kamotshme.

Ai më tej ka shtuar se me këto investime po kursehet xhepi i qytetarëve dhe po zvogëlohet lista e pritjes së pacientëve që kanë nevojë për këto shërbime.

“Është moderne siç shihet edhe që i plotëson kushtet, potencialin që t’ju shërbejnë pacientëve në mënyrën me të mire dhe kualitetin sa më të lartë. Ka kërkesa shumë të mëdha dhe ka listë të pritjes”.

“Duke krijuar hapësira si kjo moderne dhe aparatura moderne do të jemi në gjendje të shtojmë shërbimet, ta ulim listën e pritjes dhe ta heqim fare atë dhe të shkurtojmë pagesat e mëdha që bëhen nga xhepi nga ana e qytetarëve të cilët nuk mund të presin dhe kërkojnë trajtim qoftë brenda Kosovës në spitale private dhe jashtë Kosovës”.

Sipas Ismajlit shëndetësia kosovare po i kthehet qytetarit në shërbim.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudaritha se janë shumë te kënaqur me promovimin e sallës

“Ka qenë një domosdoshmëri e kohës sepse kemi një listë bukur tw gjatë te pritjes. Shpresojmë që kjo listw me u reduktuar edhe pse ka shumë për tu bërë. Edhe shpresojmë që përveç zvogëlimit të prirjes do tw kemi edhe fillimin me metoda invazive”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në këtë sallë kanë planifikuar të bëjnë operacione me laser me Radiofrekuencë në vena.

“Qëllimi i këtyre investimeve që të bëhen sidomos në Kirurgjinë Vaskulare si qendër terciare. Është klinike e vetme në Kosovë dhe në vazhdimësi presim investime tjera në mënyrë që pacientëve t’ju mundësohet shërimi dhe mjekimi dhe t’iu hiqet sa më shpejt listat e pritjes”.

“Procedura tenderuese është edhe për një aparat mundëson operacione më pak invazive apo vendosjen e stentave nëpër arterie në sistemin vaskular”, tha Sejdiu.

Kjo hapësirë ka funksionuar si një barnatore e klinikës e cila është transformuar në një sallë moderne.

Të ngjashme