Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë raportoi ministrja Meliza Haradinaj

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 16:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kryesuar nga kryetarja Time Kadriaj, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ministrja Haradinaj-Stublla gjatë raportimit të saj para deputetëve, anëtarë të Komisionit, foli rreth punës së MPJD-së, në theks të veçantë rreth hapave që ka marrë në lidhje me vendimet e ministrit paraprak.

Ajo sqaroi se nuk i ka anuluar vendimet e ish ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por vetëm se i ka pezulluar ato.

Haradinaj – Stublla tha se kur e ka marrë detyrën e ka gjetur MPJD-në në gjendje jo të mirë, dhe për këtë ajo tha se është formuar një grup punues, i cili është duke punuar rreth organogramit dhe fuzionimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Diasporës.

Ministrja Haradinaj – Stublla tha se po ashtu janë formuar grupe punuese për analizimin e legjislacionit në MPJD-së, sidomos Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, si dhe grup punues për çështje bilaterale në raport me shtetet e botës.

Gjatë raportimit të saj ministrja e Punëve të jashtme dhe Diasporës foli edhe rreth takimeve dhe vizitave të saj në Bruksel, duke sqaruar se Kosova së shpejti do të dërgojë një përfaqësues në selinë e NATO-s. Ajo po ashtu foli edhe rreth vizitës së saj në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës.

Ministrja e Punëve të Jashtme përmendi edhe nënshkrimin e 14 instrumenteve të aderimit në Konventa ndërkombëtare, takimet me ambasadorët e shteteve të ndryshme në Kosovë, bisedat telefonike me homologë të saj dhe çështje tjera.

Deputetët, anëtarë të Komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje për ministren Haradinaj-Stublla, të cilin kishin të bënin kryesisht me procesin e dialogut dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

Interesimi i deputetëve kishte të bëjë edhe me mundësinë e një strategjie diplomatike nga ana e MPJD-së lidhur me njohjen e Kosovës nga ana e pesë vendeve të BE-së.

Deputetët shtruan pyetje edhe në lidhje me mandatin e ambasadorëve dhe diplomatëve të Kosovës në shtetet e ndryshme të botës.

Të ngjashme