Në Kosovë ka pengmarrje të demokracisë

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 09:07 | Nga

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike në Tiranë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se Kosovës i duhet një pakt kombëtar mes pozitës dhe opozitës së dalë nga zgjedhjet, i cili nuk kërkon patjetër bashkëqeverisje. Sipas tij, vonesa në formimin e institucioneve të reja i ngjason më shumë një pengmarrjeje të demokracisë sesa një ushtrimi demokratik

Vonesa në formimin e institucioneve qendrore në Kosovë i ngjason më shumë një pengmarrjeje të demokracisë sesa një ushtrimi demokratik.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike në Tiranë, duke shtuar se një vend serioz, një politikë serioze dhe një elitë politike serioze veprojnë ndryshe: Shkojnë të gjithë në parlament, jetësojnë parlamentin e ri, vërtetojnë mandatet dhe më pas nis debati politik mbi shumicat e mundshme parlamentare.

Krasniqi ka thënë se Kosovës nuk i duhet një qeveri e pakicës, pasi që, sipas tij, koalicioni i pakicës, cilido qoftë ai, ka të drejtë legjitime ta krijojë ekzekutivin, por, siç thotë ai, bërja e qeverisë dhe ushtrimi i qeverisjes janë dy gjëra jo gjithnjë të njëjta.

“Ndaj nuk mendoj se një koalicion i shumicës së thjeshtë do të jetë aq funksional sa t’i marrë reformat që ka nevojë Kosova. Reformat kërkojnë një “koalicion politik”, një pakt kombëtar midis mazhorancës dhe opozitës së dalë nga zgjedhjet. Pakti nuk kërkon patjetër bashkëqeverisje, por krijon bazat për një shtet funksional e demokraci më funksionale, pra është në dobi të të gjithëve, duke përfshirë mazhorancën dhe opozitën”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nuk është hera e parë që parti të caktuara në Kosovë preferojnë më shumë varësinë e kompromisin politik me pakicat serbe e minoritare sesa kompromiset politike midis vetë faktorëve shqiptarë.

Ai madje i ka rekomanduar presidentit Thaçi të jetë më aktiv në procesin e jetësimit të institucioneve postzgjedhore dhe të ketë neutralitet më të madh në raport me ish-partinë e tij politike (PDK-në).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme