Me prerjen e shiritit nga ana e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetarit, Faruk Mujka, është përuruar në orët e mbrëmjes në Mitrovicë “Sheshi Festiv “, në të cilën do të zhvillohen aktivitetet e organizuara për shënimin e festave të fundvitit. “Sheshi Festiv” përfshin hapësirën e shëtitores kryesore në qendër të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht sheshet “Isa Boletini”, “Mehe Uka” dhe “Adem Jashari”.
Kryetari i komunës tha me këtë rast se qytetarët e Mitrovicës, edhe përkundër problemeve të shumta që kanë në jetën e përditshme meritojnë të kenë një ambient madhështorë festiv .
“Komuna në bashkëpunim me qytetarët, bizneset, OJQ-të dhe shoqërinë civile, kanë kontribuar që zemra e Mitrovicës, të duket e mrekullueshme dhe të ofrojë kënaqësi për kremtimin e festave të fundvitit si asnjëherë më parë. Jo vetëm qendra e qytetit, por kësaj radhe janë dekoruar edhe pjesë të tjera të qytetit dhe unë jam i lumtur që në një ambient të këtillë dhe para juve qytetarë të nderuar, të ju uroj të gjithëve festat e fundvitit. Mitrovica djep i kulturës, i shkencës, arsimit, historisë, sportit e traditës, gjithsesi e meriton një ambient të këtillë festiv madhështor”, tha kryetari Bahtiri.
Pas fjalës së shkurtër para qindra qytetarëve, kryetari Bahtiri preu tortën festive, e cila ju shpërnda qytetarëve të pranishëm.
Komuna e Mitrovicës ka siguruar që hapësira prej 3000 metrash katrorë të jetë interaktive dhe festive për qytetarët, e cila do të ketë në funksion edhe këndin artistik të fëmijëve, këndin e fotografisë, këndin “Hapësira performuese” dhe 10 shtëpizat prej druri.
“Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me OJQ-të “Ad Libitum” dhe “Work in progress”, këtë fundvit krijoi një projekt të përbashkët si asnjëherë më parë që mundëson që për 11 ditë rresht të organizohen koncerte, aktivitete të tjera të dobishme ditore, akrobacione, aktivitete për promovimin e trashëgimisë, aktivitete kulturore, koncerte për fëmijë dhe shumë e shumë aktivitete të ndryshme.