Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ditëve të fundit, ka rënë numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19. Aktualisht me këtë sëmundje janë duke u trajtuar 19 pacientë, e që është trefish më i ulët sesa në ditët kur shifrat e personave të infektuar kishin arritur deri në 70.
Rënia e numrit të pacientëve ka bërë që tri reparte t’i rikthejnë shërbimet e mëparshme, transmeton KOHA.
“Gjendjes normale iu ka kthyer reparti i psikiatrisë dhe i dermatologjisë. Ndërsa, edhe kati i dytë i repartit të pulmologjisë është kthyer në gjendje të mëparshme. Kanë mbetur vetëm kati i parë i repartit të pulmologjisë dhe reparti i infektives për trajtim të pacientëve me COVID-19”, ka thënë për KOHËN, Muhamet Haliti, drejtor mjekësor në Spitalin e Pejës.
Mirëpo, menaxhmenti i këtij spitali e ka parasysh edhe rrezikun nga mundësia e shfaqjes së një vale të dytë të pandemisë gjatë sezonit vjeshtor e dimëror. “Kemi më pak panik se në fillim të pandemisë. Veç e kemi bërë një përvojë me gjendjen gripoze… E kemi bërë edhe planin në rast të rritjes së numrit të pacientëve me COVID-19. Kemi staf të mjaftueshëm, kemi një përvojë të mirë dhe mendoj që kemi me menaxhua mirë situatën”, ka shtuar Haliti.
Rënia e numrit të të infektuarve me COVID-19 është shënuar edhe në qendrat shëndetësore të mjekësisë primare në Pejë, ku në njërën prej tyre, Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5 në lagjen “Fidanishte” të Pejës, dy muajt e fundit edhe është aplikuar terapia parenterale e përshkruar nga reparti infektiv dhe i pulmologjisë i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për pacientët e infektuar dhe pacientë të dyshuar në bazë të simptomatologjisë për banorët e qytetit dhe të fshatrave të Pejës.