Në Tiranë, promovohet libri i Bedri Islamit, “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

U promovua në Tiranë libri i Bedri Islami, “Përjetësia e dyfishtë”, libër ky që i kushtohet heroit dhe heroinës së kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

Në prani të mysafirëve të shumtë, personaliteteve të shquara dhe medieve, u shpalosën detaje të librit nga Bujar Leskaj, udhëheqës i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bedri Islami dhe folësit tjerë, ku u lartësuan figurat heroike, dy personalitete të jashtëzakonshme të historisë së re të kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar për këtë promovim të shkëlqyeshëm të organizuar nga Bujar Leskaj.

Postimi i Lladrovcit:

“Nën përkujdesjen e z. Bujar Leskaj, udhëheqës i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me fjalë hyrëse të jashtëzakonshme, së bashku me të ftuarit tjerë dhe praninë e autorit të librit “Përjetësia e dyfishtë”, Bedri Islami, u bë promovimi i librit në Tiranë.

Z. Leskaj, me fjalët e tij të përzgjedhura, me dije të thella për shekullin e kaluar dhe të ardhmen që na pret, në këtë shekull të shqiptarëve si komb, promovimin e bëri të jetë përtej çdo pritjeje për rastet e promovimit të librave historik dhe biografi të personaliteteve historike.

Aq më shumë, z. Leskaj, kontribuoi që me iniciativën e tij, dimensioni i tërësisë nacionale të prezantohet në plotni edhe me shtatore, duke dhënë idenë që në Vlorën e Flamurit dhe pavarësisë, të ngrihen shtatorja e Fehmiut dhe Xhevës.

Ky hap tejet i qëlluar, do të pasqyronte më së miri jetën dhe veprën e heroit dhe heroinës, për kombin tonë. Në Vlorë, Fehmiu dhe Xheva, do të riktheheshin jo më si vizitor në vendin ku Isa u gjunjëzua ta puthte flamurin, po në qytetin tonë të pavarësisë, krah bijve dhe bijave më të mira të kombit, Ismailit, Luigjit, Lefit dhe heronjve tjerë, duke e bërë pjesë e historisë dhe lavdisë së Vlorës.

Bedri Islami, ashtu si të gjithë ne, ishim të nderuar me promovimin e librit “Përjetësia e dyfishtë” kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit nga kujdesi dhe niveli i organizimit.

Bedri Islami, miku ynë, i njohur si biri i Zenel Islamit, Zenelit të Migjenit, një nga liderët politik të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila themeloi dhe drejtoi UÇK-në, na bëri nder jo vetëm si familje por edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë kombit.

Duke qenë mik dhe bashkëveprimtar me heroin dhe heroinën e kombit, Fehmiun dhe Xhevën, Bedri Islami nëpërmjet kësaj vepre, më së miri, i lartësoi ata, për t’u bërë pjesë edhe e kujtesës tonë historike, për vlerat dhe çmimin e lirisë.

Një kritik i shquar ka shkruar se “libri kaq voluminoz për nga faktet është ndërtuar si një mozaik kujtimesh të përshkruara herë në formën e dialogut e herën të monologut, gjithmonë në funksion të dy figurave qendrore. Autori e kalon kamerën lehtësisht, herë në jetën ilegale e herë në ngushticat e burgjeve, duke e ndjekur si me kamerë të fshehtë jetën e thjeshtë të Xhevës dhe jetën heroike të Fehmiut, kudo që janë ndodhur; në Kosovë, në Kroaci, në Slloveni, në Zvicër, në Gjermani e gjetkë. Libri “Përjetësia e dyfishtë” është një vepër që aq sa lartëson figurën e lavdishme të dy heronjve, aq i bën nder vetvetes si krijues dhe lexuesit”.

Shpreh falënderim të sinqertë për z. Leskaj, në veçanti për iniciativën e tij si dhe organizimin e shkëlqyer të promovimit të librit.

Përjetësisht falënderues, Baca Bedri!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme