Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit S.M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa është aprovuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, sipas së cilës më 2 gusht, rreth orës 01:30, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, i pandehuri, nën kërcënimin e një thike, i ka marrë 50 euro të dëmtuarit A.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Prokuroria ka bërë të ditur se, pasi viktima ka tentuar të largohej, i dyshuari e ka kapur për qafe dhe e ka ndjekur, por është penguar nga dëshmitarja E.R. Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, ai dyshohet se e ka kanosur sërish të dëmtuarin me fjalët: “Ti ke me e pagu shtrejt këtë; ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon.”
Sipas vendimit, masa e paraburgimit do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data e arrestimit, 3 gusht 2026, deri më 2 shtator 2026.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.