Nënkryetari i Mitrovicës Veriore, Sadiku: Qytetarët janë më të mençur se politikanët

Prishtinë | 06 Nën 2022 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Skënder Sadiku, nënkryetari i Mitrovicës Veriore ka komentuar dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës. Sadiku tha se qytetarët janë më të mençur se politikanët, ndërsa ka shtuar se shpreson që kjo të mos ndikojë në përditshmëri.

Nënkryetari i Mitrovicës Veriore, Skender Sadiku, ka thënë se është ndjerë shumë keq që dhanë dorëheqje kryetari i kësaj komune dhe asamblistët nga Lista Serbe.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka 19 asamblistë, 17 prej të cilëve janë nga Lista Serbe, dhe Sadiku është njëri nga dy asamblistët që nuk ka dhënë dorëheqje.

“U ndjeva i ndarë nga kolegët e mi me të cilët jam zgjedhur për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi apo feje. Mitrovica është qytet multietnik dhe i vetmin në Kosovë në kuptimin e plotë të fjalës. Por, besoj se situata ngadalë do të fillojë të normalizohet”, ka thënë Sadiku.

Pas dorëheqjes së anëtarëve të Listës Serbe, Sadiku thotë se Kuvendi Komunal tashmë është i bllokuar.

Sadiku është optimist dhe beson se Beogradi dhe Prishtina janë afër marrëveshjes.

“Urdhëri do të ishte që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të merren vesh si fqinj me fqinjin, por në këtë histori janë përfshirë edhe i treti, i katërti dhe i pesti – sa të dërguar tashmë janë duke punuar në këtë pjesë”, tha Sadiku, ai thotë se proceset që janë duke u zhvilluar duhet të çojnë drejt normalizimit, njofotn “Kossev”.

Sadiku shtoi se qytetarët janë më të mençur se politikanët, ndërsa ka shtuar se shpreson që kjo të mos ndikojë në përditshmëri.

“Administrata duhet të punojë për të plotësuar nevojat e përditshme të qytetarëve, për të marrë dokumente… Nuk është mirë që kjo ndikon në jetën e qytetarëve. Dhe le të jetë një nder për politikanët. Politikanët mund të kthehen. Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim tek qytetarët e thjeshtë”, tha Sadiku.

Të ngjashme