Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, AKI-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin-Potokut, raporton Ekonomia Online.
Sipas Hoxhës, operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, pas informacioneve të pranuara përmes rrugëve të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarët.
“Armët e zjarrit dhe eksplozivët vazhdojnë të jenë rrezik i madh për sigurinë e qytetarëve tanë. Me qëllim të parandalimit të tyre, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, AKI-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, nga 6 deri më 17 gusht ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin-Potokut. Pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarët, lidhur me posedimin e armëve ilegale, janë realizuar kontrolle në gjithsej 48 lokacione, ku janë gjetur sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe mjete të tjera të kundërligjshme”, ka deklaruar Hoxha në konferencë për media.
Gjatë këtyre operacioneve, sipas tij, janë gjetur gjithsej 72 armë, përfshirë mitralozë, armë të gjata dhe të shkurtra, pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore.
“Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë armë të shkurtra dhe një pushkë ajrore. Gjithashtu, janë gjetur shtatë mjete shpërthyese, shtatë granata dore, pjesë plastike të paketimit të granatave, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese dhe 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm”.
Hoxha ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe pajisje të tjera ushtarake dhe materiale që lidhen me armatimin.
“Janë gjetur edhe pjesë të shumta të armëve, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe magazina. Po ashtu, janë gjetur shumë pajisje të tjera ushtarake, thika, maska gazi, dylbi, radiolidhje, mbushër për radio, sëpata dhe mjete të tjera luftarake, të cilat janë konfiskuar. Është gjetur një numër i madh uniformash, çantash ushtarake të ushtrisë serbe dhe të policisë serbe, si dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllime ushtarake”.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar edhe dokumente, leje armësh dhe mjete financiare.
“Janë sekuestruar dokumentacione, kartela të veteranëve të luftës, leje për armë të shkurtra, leje për armë të UNMIK-ut dhe leje të tjera të skaduara. Gjithashtu, janë sekuestruar 6 mijë e 100 euro dhe 5 mijë franga zvicerane”, deklaroi Hoxha.
