Nga e shtuna nisin riatdhesimet në Shqipëri, dy javë në karantinë

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Të gjithë shqiptarët të mbetur jashtë vendit për shkak të situatës së koronavirusit mund të aplikojnë për procedurën e riatdhesimit.

“Air Albania” është linja ajrore që është planifikuar për të kryer fluturimet e riatdhesimit duke nisur nga e shtuna në Romë dhe më pas në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër.

Por, përpara se të presin biletat, qytetarët që presin të kthehen në vend duhet të paguajnë më parë për hotelin ku do të qëndrojnë të karantinuar për 2 javë.

“Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje që do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi. Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës”, tha Balluku.

Hotelet-karantinë ndodhen në zonën e Durrësit dhe do të mundësojnë transferimin nga aeroporti dhe shërbimin mjekësor. Sipas Ministres së Infrastrukturës, në bazë të kërkesave do të vlerësohen edhe destinacione të tjera nga ku mund të zhvillohen fluturimet e riatdhesimit.

Të ngjashme