Fillimi i ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes për termocentralin “Kosova e Re” mes qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’, ishte planifikuar që të fillonte në orën 11:00, por ata që erdhën me kohë u zhgënjyen më së shumti.
Mbledhja e Qeverisë ku do të diskutoheshin 36 pika duhej të fillonte nga ora 9:00 por ajo nisi në ora 10:00 gjë që bëri që gjithçka të vonohej.
Në sallën ku do të bëhej nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliard euroshe të ftuarit e mediat kishin zënë vend pasi akrepat tashmë kishin shënuar orën 11:00 kurse nënshkruesit e kësaj marrëveshje ende nuk dukeshin në sallë.
Zyrtarët e protokollit të kryeministrit të Kosovës po kujdeseshin që çdo gjë të ishte në rregull e gati për nënshkrimin e marrëveshjes më të madhe të Kosovës. Njëri shikonte se a janë në një vijë mbajtëset e emrave që ishin vendosur në tavolinën në krye të sallës, ku do të bëhej nënshkrimi i marrëveshjes, e një tjetër kontrollonte se a janë larg nga njëra tjetra në masë të njëjtë karriget ku do të uleshin nënshkruesit e marrëveshjes.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po vazhdonte të mbante mbledhjen e qeverisë e cila kishte filluar me vonesë, duke kaluar pikat njëra pas tjetrës edhe pse kishin kaluar minuta të tëra që nga ora e paracaktuar për fillimin e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Haradinaj erdhi në sallë duke përshëndetur të gjithë me zë por nuk u ul në karrigen e caktuar për të por si i zoti shtëpisë po i udhëhiqte mysafirët që po vinin e po i urdhëronte anëtarëve të stafit të tij që t’u bënin vend atyre që ishin në këmbë.
Në ora 11:40 më në fund arritën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli të cilët kryeministri Haradinaj po i priste në këmbë.
Sipas Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka e gjithë kjo vonesë prej 40 minutash u shkaktua për shkak të një detaji teknik në marrëveshje për të cilën nuk kishte pajtueshmëri.
“Tek ne vonesa ka qenë minimale për shkak të një detaji të vogël teknik për të cilin nuk e kishim një pajtueshmëri, mirëpo çka është me rëndësi është se në takim erdhi edhe Joseph dhe e finalizuam sepse ishte një gjë që edhe Joseph u pajtua sepse ishte diçka shumë e vogël dhe pati tolerancë nga të dyja palët”, u shpreh ministri Lluka.
Valdrin Lluka këtë vonesë më tej e arsyetoi edhe me mbledhjen e qeverisë.
“Pjesa tjetër e vonesës ka qenë për shkak të mbledhjes së qeverisë ku ishin 36 pika diskutimi për t’u kaluar dhe koha e parashikuar prej dy orë nuk ishte e mjaftueshme që t’i realizojmë të gjitha, bile mua më kanë mbetur dy pika pa i përfunduar”, ka theksuar Lluka.
Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” zyrtarisht u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i “Countur Global”, Arben Gjukaj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kadri Kadriu nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Januz Kabashi, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Ekonomike “Ibër-Lepenci”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes 1.3 miliard euro të gjithë shtrënguan duart së bashku nën dritën verbuese të aparatëve fotografik që shkrepeshin pa ndalur nga fotografët e shumtë që ishin në sallë.
Marrëveshjet e nënshkruara të projektit janë: Marrëveshja e implementimit (Kompania e gjenerimit); marrëveshja e implementimit (kompania e minierave); marrëveshja për blerje të energjisë (TCKR); marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova A); Marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova B TCKR); Marrëveshje shumëpalëshe për furnizim me linjit; Marrëveshja për furnizim me ujë; Marrëveshja për shërbimet ndihmëse (TCKR).
Por me nënshkrimin e kësaj marrëveshje nuk ka përfunduar gjithçka, ka përfunduar vetëm përmbyllja komerciale. Pas nënshkrimit mbeten edhe tre hapa të tjerë të mëdhenj deri në vitin 2019 kur do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.
Në vitin 2018 do të hapet tenderi për përzgjedhjen e kontraktuesit, në vitin 2019 do të bëhet përmbyllja financiare dhe do të fillojë ndërtimi i termocentralit
18 vjet zvarritje për nënshkrimin e marrëveshjes
Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane “Countur Global” gjatë konferencës për shtyp shpjegoi gjithë rrugëtimin e këtij projekti që nga fillet e tij. Madje Brandt theksoi se nuk është faji i Qeverisë së Kosovës për vonesën në realizimin e këtij projekti.
“Historia e këtij projekti është interesante. Unë do ta vija fajin për vonesën te Qeveria e Kosovës, në të vërtetë nuk besoj se ajo e ka shkaktuar vonesën. Nëse do të shikonim prapa para tetë viteve ju keni pasur ndryshime në ekzekutimin e projektit së pari për shkak të gjërave që kanë ndodhur në botë”, ka potencuar Brandt.
I njëjti projekt është iniciuar në vitin 2005, në kohën kur ministër i energjisë ishte Et’hem Çeku e kryeministër ishte Bajram Kosumi.
Projekti fillestar ka qenë trefish më madh se ky tani. Parashihej një investim prej 3,5 miliardë eurove. Parashihej ndërtimi i një termocentrali prej 2100 megavatësh. Fillimisht parashihej të ndërtoheshin 1000 megavatë, ndërsa në fazën e dytë, pas dhjetë vjetëve, ishte paraparë ndërtimi i fazës së dytë prej 1000 megavatëve. Në kuadër të projektit ka qenë edhe investimi milionësh në mihje, pra hapja e mihjes së re. Në projekt ka qenë i paraparë edhe procesi i shpronësimeve që tash po kryhen nga KEK-u.
“Shkojmë prapa te tenderi i parë në të cilin ishim të involvuar, në të vërtetë ne ishim një konzorcium, “Counter Global” ishte një kompani e re në atë kohë, me NL, PPC dhe ne. Ishim duke garuar për projektin, për tu futur në Komunitetin Ndërkombëtar të Investimeve për Prodhimin e Energjisë, dy kompani gjermane, një kompani amerikane dhe një kompani turke në një garë shumë të fuqishme për projektin në atë kohë”, theksoi Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i “Countur Global”.
Projekti kishte vazhduar me operatorët, konsorciumi Adani Poëer / PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric Ltd / Demir Export A.S. nga SHBA dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi “PPC” & “Contour Global LLP” nga Greqia dhe Britania e madhe / SHBA.
Që nga viti 2010 deri në vitin 2013 projekti ishte zvarritur, ndërsa interesimi i kompanive që ishin në garë kishte rënë.
Me 5 prill 2013, ishin miratuar dokumentet e tenderit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nga Komiteti Drejtues i Projektit. Në atë kohë ishin miratuar marrëveshjet komerciale të cilat janë nënshkruar sot (20 dhjetor 2017), me ndryshimet që ka ndodhur në procesin e negocimit.
Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës i ka dhënë kompanisë “Countur Global” statusin e ofertuesit të preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Countur Global” është kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e specializuar në blerjen dhe zhvillimin e kapaciteteve gjeneruese bazuar në kontrata afatgjata, me lloje të ndryshme të lëndëve djegëse si dhe lokacione të ndryshme gjeografike.
Investimet e përgjithshme për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me 500 megavat llogaritet të arrijnë në 1,3 miliard euro. “Countur Global” do të ofrojë 30 përqind të kostos së përgjithshme të projektit përmes zotimeve të kapitalit në nivel të projektit për procesin e ndërtimit të termocentralit.
Për vonesat që ndikuan në mosrealizimin e këtij projekti Brandt e fajëson krizën botërore financiare e cila i detyroi kompanitë të hiqnin dorë nga projekti.
“Pastaj patëm krizën financiare botërore, kur kriza erdhi gati të gjithë u larguan, dy kompanitë gjermane hoqën dorë, kompania turke hoqi dorë, kompania amerikane hoqi dorë, ne së bashku me PPC-në qëndruam së bashku të interesuar në projekt me dëshirën për të vazhduar përpara, pastaj patëm krizën greke e cila e detyroi PPC-në të hiqte dorë”, tha Brandt.
Ai të gjitha këto pengesa që shkaktuan këtë vonesë shumëvjeçare të nënshkrimit të marrëveshjes i quajti një fat të keq për Kosovën.
“Është mirë që po zotohemi para se të na vijë një krizë tjetër”, u shpreh Brandt.