Nga një muaj paraburgim për dy të arrestuarit në rastin “Brezovica”

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.G zyrtar doganor dhe S.I menaxher në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, të dyshuar për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Gjykata ua ka caktuar atyre nga një muaj paraburgim nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, nga aksioni policor “Brezovica”, deri tani janë arrestuar mbi 30 persona, disa prej tyre zyrtarë. Ata dyshohen për veprat penale ‘Marrje ryshfeti’ dhe ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’.

Më 3 mars, janë prangosur shtatë persona të dyshuar për këtë rast, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica” Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të ngjashme