Nga shkurti prishtinasit mund ta kryejnë ultrazërin e barkut në QKMF, mjekët familjarë gati në përfundim të trajnimit

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 11:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

12 mjekë familjar të Kryeqytetit janë në përfundim të trajnimit për ultrazë të abdomenit për herë të parë në kujdesin parësor. Ky trajnim është bërë falë marrëveshjes së arritur nga Komuna e Prishtinës me Odën e Mjekëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

E krahas trajnimit të mjekëve, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë për Ekonomia Online se pesë Qendra të Mjekësisë Familjare i kanë pajisur me pesë ultrazë të rinj.

Sadiku ka thënë se mjekët që po e kryejnë këtë trajnim do të jenë në pesë qendrat më të mëdha të Kryeqytetit dhe në Urgjencë dhe se ky shërbim do të fillojë të jepet në shkurt.

“Para një muaji për herë të parë në kujdesin parësor shëndetësor në Prishtinë ka filluar një trajnim në nivel të Kosovës për ultrazë të abdomenit për mjekët familjarë. Kjo është një marrëveshje e cila është bërë ndërmjet Komunës së Prishtinës me përkrahjen nga Oda e Mjekëve të Kosovës e cila e ka financuar trajnimin e stafit tonë dhe realisht kemi përzgjedh 12 mjekë prej pesë Qendrave më të mëdha dhe Urgjencës në Kryeqytet”, ka thënë Sadiku.

Blerja e këtyre aparaturave dhe trajnimi kanë për synim, siç thekson Sadiku që të mos mbingarkohet urgjenca e qytetit.

“Ne kemi blerë vitin e kaluar aparatura, kemi blerë pesë ultrazë të rinj, që me fillu edhe realizimi i ultrazërit nga mjeku familjar, për arsye se ky është një ekzaminim më shumë që i ndihmon më shumë mjekut që të vijë deri te diagnoza dhe njëkohësisht e ndihmon edhe pacientin që për një ultrazë të abdomenit të mos shkojë nëpër emergjenca të qytetit dhe kjo do ta rrisë cilësinë e shërbimeve që jepen në kujdesin parësor shëndetësor”, u shpreh Sadiku.

Sadiku ka thënë se trajnim do të organizojnë edhe për ultrazë të kukave për fëmijë, marrë parasysh nevojën që fëmijët e porsalindur e kanë për kontrolle.

“12 mjekë janë duke u trajnuar deri në fund të janarit kryhet ky trajnim dhe në shkurt do të jenë të gatshëm për ta filluar zbatimin e këtyre njohurive të fituara nga ky trajnim te pacienti dhe ne pastaj do të bisedojmë me Odën e Mjekëve që me përkrah edhe të tjerë, ideja jonë është që përveç ultrazërit për abdomen të bëjmë ultrazërin për kuka për arsye se fëmijët e vegjël të porsalindur gjatë vitit të parë të jetës së vet, e ka obliguar të bëjë kontrolle për kuka te ortopedi”, u shpreh Sadiku për EO.

Përmes këtij avancimi profesional, mjekët e trajnuar mund t’i ekzaminojnë pacientët me telashe shëndetësore për veshkat, mëlçinë, pankreasin, fshikëzën urinare dhe të gjitha organet në pjesën e barkut.

Të ngjashme