Nis punimet konferenca mbi rëndësinë e financimit të arsimit

Prishtinë | 13 Sht 2016 | 12:41 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), e përkrahur nga GIZ, ka organizuar sot konferencën me temën “Rëndësia e financimit të arsimit në Kosovë”, e cila synon të vë në pah rëndësinë e financimit efektiv të arsimit, si domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e arsimit si parakusht i zhvillimit ekonomik.

Në fjalën e hapjes, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, falënderoi mbështetësit kryesorë të kësaj konference të rëndësishme – GIZ-in gjerman dhe Bankën Botërore, ndërsa tha se financimi në sistemin arsimor ka rëndësi jetike për një arsim cilësor.

Bajrami foli për gjendjen aktuale në arsim dhe për planet në kuptim të vetëdijesimit të përgjithshëm kombëtar për rëndësinë e investimeve në sistemin arsimor.

“Kosova është një vend i ri, një vend në tranzicion dhe që po ballafaqohet me shumë sfida të këtij tranzicioni demokratik dhe padyshim arsimi është një fushë e rëndësishme, sepse gjysma e popullsisë janë të moshës së re dhe kemi një kapital që nuk e kemi shfrytëzuar, pra kapitalin njerëzor”.

konfer (1)

Ministri theksoi se krijimi i kapitalit njerëzor është sfiduese dhe shumë e rëndësishme për secilin shtet. “Investimet në edukim janë investim në të ardhmen tonë, në të ardhmen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Aq sa ne do të investojmë në krijimin e një edukimi cilësor, në njerëz me kompetenca dhe shkathtësi, aq më të përgatitur do të jemi për zhvillimin ekonomik”.

Duke folur për gjendjen aktuale në arsim, ministri Bajrami ndër të tjera theksoi se, me gjithë rritjen e buxhetit, nuk ka ndarje adekuate për investime në cilësi. Ai tha se aktualisht MAShT ka vetëm një prioritet: arsim cilësor, i lidhur tërësisht me nevojat e tregut të punës dhe i bazuar në një kurrikulë që demonstron kompetenca dhe shkathtësi.

“E tëra kjo ka një kosto. Kështu që jemi në kërkim të një formule adekuate të financimit, por edhe të një konsensusi kombëtar për nevojën e rritjes së buxhetit”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se konkluzionet që do të dalin nga kjo Konferencë do të jenë një ndihmë e madhe në këtë drejtim.
E ngarkuara me detyrë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Christina Gehlsen theksoi se cilësia e mirë në arsimin parauniversitar ka një rëndësi të madhe për nivelet pasuese në arsim, prandaj vendi i saj po përkrahë këtë nivel të arsimit.

Edhe menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli dhe përfaqësuesja e GIZ-it, Dagmar Fuchs-Schmitz, vunë në theks nevojën për investim në të gjitha nivelet e arsimit dhe ndihmën që po japin këto organizata në këtë drejtim.

Të ngjashme