Nisin rrënimet në rrugën “Bekim Berisha – Abeja” në Vushtrri, komuna paralajmëron edhe shpronësime

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Në Komunën e Vushtrrisë kanë nisur rrënimet përgjatë rrugës “Bekim Berisha – Abeja”, në kuadër të një projekti për asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Vushtrrisë, Remzi Ahmeti, tha se aksioni po zhvillohet pas kërkesës së Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ndërsa shtoi se paraprakisht janë përmbushur të gjitha procedurat ligjore.

“Vendimi është asfaltimi i rrugës, domethënë është projekti i Drejtorisë së Urbanizmit, i cili ka me u bë asfaltimi edhe rregullimi komplet në këtë pjesë. Në bazë të kërkesës që na ka ardhë nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ne kemi dalë në terren edhe jemi duke vazhdu me rrënimin e asaj pjese që kanë qenë, që janë të uzurpuara në fakt. Paraprakisht i kemi kryer të gjitha masat ligjore, duke filluar me paralajmërimet, njoftimet. Deri tash nuk kemi hasur në ndonjë pengesë. Deri tash çdo gjë po shkon mirë, po vazhdojmë tutje. Kemi gjetur mirëkuptim, mirëkuptim mjaftueshëm për me vazhdu këtu si drejtori edhe si ekip që jemi prej të gjitha drejtorive”, tha ai.

Drejtori për Kadastër në Komunën e Vushtrrisë, Bedri Dobra, tha se projekti parasheh lirimin e pronave publike dhe zgjerimin e rrugës.

“Po, këtu është duke u zhvilluar një projekt kapital, rregullimi i rrugës, sidomos kjo rruga që mban emrin ‘Bekim Berisha – Abeja’, një hero legjendar. Vetë fjala që është për një hero, duhet këtë rrugë me e rregullu sa më bukur që me u lirue pronat publike. Do të marrin edhe shpronësim, do të bëjmë një rrugë tamam qysh duhet për me ecë këmbësorët, sidomos nxënësit, fëmijët tanë të kësaj lagjeje dhe të duket kjo rrugë sa më bukur”, tha ai.

Ai bëri të ditur se aktualisht është duke u bërë lirimi i pronës publike, ndërsa paralajmëroi se në fazën e dytë do të nisë procesi i shpronësimeve.

“Për momentin këto janë duke u bërë lirimi i pronës publike pa leje, ndërsa faza e dytë mbas disa dite do të fillojmë edhe me rrënimet që kanë të bëjnë me shpronësim. Do të zhvillojmë procedurat e shpronësimit edhe konform ligjit do të fillojmë zgjerimin e rrugës tamam qysh duhet, me një projekt në të cilin do të jetë sa më efikas dhe sa më i mirë”, tha Dobra.

Sa u përket pronarëve të pronave, ai tha se fillimisht ka pasur hezitime, por sipas tij, qytetarët tashmë po bashkëpunojnë me komunën.

“Po, në fillim ka pas hezitime, po jo, janë bashkëpunues, janë edhe falënderues dhe besoj që kështu do të shkojë deri në fund që të rregullohet rruga pa probleme. Janë, mos gabofsha, 25 raste deri në fund të rrugës atje. Këtu është fillimi, do të shkojmë deri në fund të lagjes atje”, tha ai.

Të ngjashme