Të shënosh në kontaktin e parë me topin në ndeshjen e parë ndërkombëtare. Për një gjë të tillë është “kompetente” të flasë futbollistja e re kosovare, Loreta Kullashi.
18-vjeçarja të dielën e kaluar në Cape Town të Afrikës së Jugut u aktivizua në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Suedisë, shkruan Koha Ditore.
Rezultati ishte 1:0 në të mirë të Përfaqësueses së Suedisë në futboll, ndërsa me aktivizimin e Kullashit fitorja për Suedinë u vulos. Ajo menjëherë në minutën e 46-të, në kontaktin e parë me topin, shënoi 2:0 për Suedinë. Rezultatin përfundimtar 3:0 e vendosi në minutën e 69-të.
U vlerësua debutim ëndrrash për Kullashin në Përfaqësuesen A (seniore) të Suedisë. Për Kullashin vetëm thirrja për ndeshjen miqësore ndaj Afrikës së Jugut ishte sukses i madh – realizim i ëndrrës.
Ajo prej vitesh e kishte ëndërr të luante për Përfaqësuesen A të Suedisë. Dhe këtë synim e ka arritur në moshë fare të re, si 18-vjeçare.